Aktualitet Videoja me kokainë, ekspertët: Pse nuk ka vepër penale

Videoja me kokainë, ekspertët: Pse nuk ka vepër penale

Çështja e videos së publikuara së fundmi nga gazetari Artan Hoxha ku shfaqet një person që dyshohet të jetë kryetari i bashkisë së Bulqizës duke konsumuar lëndë narkotike ka shkaktuar reagime të shumta.

Por çfarë mendojnë ekspertët ligjorë për këtë rast?

Sipas avokatit Bashkim Sulstarova, për ngjarjen në fjalë nuk ka asnjë provë materiale për ta vënë personin që shfaqet në video përpara përgjegjësisë penale, por thjesht një indicie. Ai shprehet se kjo nuk është një vepër penale, por çështje morale.

“Aty nuk ka vepër penale për arsye sepse mungojnë provat, mungon lënda narkotike, mungon sasia e lëndës narkotike dhe nuk ke si e vërteton. Kjo është një indicie, indicie për të bërë prokuroria një hetim, Nuk ka asnjë provë materiale për ta vënë përpara përgjegjësisë penale. Ligji e parashikon, mbajtja, përdorimi, por dhe asaj nuk i ke sasinë. Ky është thjesht një filmim, një video që ka filmuar dyqani dhe është përdorur. Është me sa shoh e saktë, pastaj i takon akuzës të provojë është ky personi apo jo se duhen marrë parasysh dhe dy palë pretendime. Për mendimin tim nuk ka vepër penale. Është vetëm çështje morale”, tha avokati Bashkim Sulstarova.

Ndërsa për avokatin Edmond Pedro, prokuroria nuk duhet të hapë procedim fare për këtë çështje. Ai shton se akuza nuk duhet të jetë gjithmonë nën presionin e një komuniteti socio-virtual për të nisur procedimin.

“Nuk mendoj sesi mund të niset një procedim, aq më tepër për një personazh publik, i votuar nga një komunitet, të fillojë një procedim penal në bazë të indicies që mund të ketë nga kjo video. Për mendimin tim shtrat ligjor nuk ka. Prokuroria nuk duhet ta hapë fare procedimin, nuk duhet të fillojë fare. Prokuroria duhet të jetë e kujdesshme për hapjen e këtyre, pasi nuk mund të jetë gjithmonë organi i akuzës nën presion të një komuniteti socio-virtual të fillojë procedimin për një personazh pa i faktuar mirë të gjitha situatat”, u shpreh Pedro./A2