Sport Videoja që po çmend Anglinë

Videoja që po çmend Anglinë

Antonio Conte dhe Chelsea duket se nuk do të ndalen në rrugën e tyre, drejt fitimit të titullit kampion në Premier League, këtë sezon.

Blutë e Londrës ia kanë dalë të mos mposhten edhe në “Anfield”, ndaj Liverpool, si për të thënë se nuk ka pengesë që u del përpara. Meritë kjo e trajnerit italian, i cili ka arritur të fusë filozofinë e tij grintoze të blutë, duke përsëritur vetveten e suksesshëm në stolin e Juventusit dhe kombëtares së Italisë.

Në kohën kur priteshin “mrekulli” nga Pep Guardiola, apo edhe Jose Mourinho, me skuadrat e tyre të Manchesterit (United dhe City), është Antonio Conte që befason këdo, duke vendosur “vulën” e tij në kampionatin anglez të futbollit.

Një video është bërë virale në internet, ku përmes montazheve përkatëse tentohet të rrëfehet jo pa ironi çfarë po ndodh në Premier League. Trajneri italian i Chelsea vihet i vetëm përballë kolegëve të tjerë të Mancheter United, Manchester City, Liverpool dhe Arsenal.

Pasi hipin të gjithë në një makinë, ata tentojnë të parakalojnë Conten, por ky i fundit i bllokon, si të ishte Supermen.

Më pas, italiani e lejon mjetin të vazhdojë, por Pep & CO humbasin drejtimin dhe përfundojnë duke u përplasur me një makinë, e mbushur me mbeturina.

Sikurse duket edhe në video, trajnerët, të cilët shiheshin si favoritë kryesorë për titullin në Premier League, përfundojnë të mbuluar, ndërsa Conte rri e vështron i lumtur prej triumfatori…