Aktualitet Vidhnin makina të shtrenjta dhe i falsifikonin për t’i shitur si të...

Vidhnin makina të shtrenjta dhe i falsifikonin për t’i shitur si të reja. Goditet banda shqiptare

Vidhnin makina të shtrenjta dhe i falsifikonin për t’i shitur jashtë shtetit si të reja. Policia italiane mbylli operacionin “Falsifikimi”, duke prangosur një banë të drejtuar nga shqiptarët, e cila i kishte vënë syrin ekskluzivisht makinave luksoze.

Fillimisht grupi identifikonte makinën, shpeshherë duke ndjekur këmba këmbës edhe pronarët. Për t’i vjedhur ishte shumë e lehtë, pasi hajdutët ishin aq profesionistë e të pazhurmshëm, saqë mundën të vidhin një automjet luksoz të parkuar brenda një Hoteli prestigjioz në Milano.

Falë ndihmës së pajisjeve të teknologjisë së lartë, ata arrinin të mashtronin sistemet e alarmit dhe ato të lokalizimit me GPS dhe në pak çaste arrinin të hapin makinën dhe të largoheshin të pashqetësuar.

Shndërrimi i vërtetë ndodhte brenda disa garazheve shumë të fshehur, ku me ndihmën e mekanikëve profesionistë, veturat çmontoheshin dhe bëheshin gati për t’u shitur në tregun e jashtëm.

Shumë prej garazheve ndodheshin në Monza, ku organizata modifikonte numrat e shasive dhe centralinove, duke i bërë gati për tregun e jashtëm.

Në një rast, banda kishte arritur të transformonte edhe një Range Rover të shkatërruar plotësisht pas një aksidenti, duke zëvendësuar të gjithë karrocerinë dhe pjesë motorike mbi shasinë e veturës, e cila mbante numrin origjinal.

Në krye të bandës qëndronin dy shqiptarë, që kishin ngritur një strukturë piramidale, poshtë së cilës qëndronin pesë shqiptarë të tjerë, gjashtë italianë, një maroken, një egjiptian dhe dy gra: njëra bullgare e tjetra rumune.

Pas hetimit 7-mujor policia sekuestroi 23 automjete me cilindrata të lartë, ndërsa xhiroja e qarkulluar mendohet të jetë rreth 1.750.000 euro.