Aktualitet Vijnë 10 mijë vaksinat e para ruse në Shqipëri

Vijnë 10 mijë vaksinat e para ruse në Shqipëri

Në Shqipëri mbërritën sot 10 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik V.

Kryeministria sqaroi se vaksinat ruse që mbërritën të hënën në Rinas janë dhuratë nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama në një postim në mediat sociale bën me dije se “së shpejti shuma të konsiderueshme vaksinash të tjera do të pasojnë, duke na krijuar mundësinë të rrisim fuqishëm numrat e vaksinimeve ditore, për të dalë së shpejti nga tuneli i gjatë i kësaj lufte të egër”.

Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu u shpreh nga aeroporti i Rinasit se në ditët në vijim do të mbërrijnë në vend vaksina të tjera, për të nisur një vaksinim masiv të popullatës për të lehtësuar dhe sezonin turistik që po troket.

“Do të vijojmë për të siguruar vaksina që të nisim vaksinimin masiv të popullatës që të kemi dhe një lehtësim të sezonit turistik. Komiteti i imunizimit dhe institucionet e tjera e ka dhënë garancinë për vaksinat që kemi prova të mjaftueshme që janë efektive dhe që ofrojnë siguri”, tha mes të tjerash Manastirliu.

Kjo ngarkesë me vaksina Sputnik V vjen pak ditë pasi qeveria me një Akt Normativ autorizoi ministrat Manasatirliu dhe Ahmetaj që të negocionin si për vaksinën e prodhuara në Rusi dhe për atë kineze.

Shqipëria prej javësh ka nisur vaksinimin dhe deri tani qytetarët kanë marrë vaksinën Pfizer, që është siguruar nga një kontratë me kompaninë dhe AstraZeneca nga mekanizmi COVAX.