Bota Viktimat në Itali vdiqën vërtet nga koronavirusi?

Viktimat në Itali vdiqën vërtet nga koronavirusi?

Deri tani, në Itali kanë vdekur shtatë persona nga koronavirusi, ata ishin të gjithë të moshuar dhe, çfarë është më e rëndësishme, ata kishin edhe patologji të tjera përpara se të prekeshin nga COVID-19, shkruan Cristina Marrone e gazetës së njohur italiane ”Il Corriere della Sera”.

”Sqarimi është i rëndësishëm, sepse të gjitha viktimat kanë qenë shtruar në spitale të ndryshme për patologji të tjera. Virusi i ri ka përkeqësuar gjendjen e tyre të kompromentuar dhe kjo është në përputhje me të gjitha studimet epidemiologjike të bëra deri tani në rastet në Kinë: rreziku i vdekjes rritet me moshën (për ata mbi 80 arrin në 14,8%).

Probabiliteti i vdekjes rritet në 10,5% nëse pacienti që sëmuret vuan edhe nga zemra; 7,3% nëse është diabetik; 6,3% me sëmundje kronike të frymëmarrjes; 6% me hipertension; 5,5% me tumor. Rreziku i vdekjes nëse nuk ka patologji të mëparshme bie menjëherë në 0,9%. Me pak fjalë, koronavirusi shërohet: 98% e pacientëve ia dalin të shërohen.

Viktimat e para në Itali ishin pak a shumë të sëmurë rëndë. Me fjalë të tjera: deri më tani, nuk ka pasur (dhe shpresojmë se nuk ka) një pacient si ai mjeku në Wuhan që u sëmur dhe pastaj vdiq. Dhe nuk ka pasur, deri më tani (dhe shpresojmë se nuk ka) raste të pacientëve të shëndetshëm që kanë vdekur nga koronavirusi.

Viktima e parë në Itali ishte një pacient 78-vjeçar nga Venecia, i cili vdiq në spitalin “Schiavonia” në natën e 14 shkurtit. Ai ishte shtruar në spital për 10 ditë me patologji të shumta. Të nesërmen vdiq një grua 75-vjeçare nga Casalpusterlengo, e cila kishte qenë në spitalin e Codognos për një krizë frymëmarrjeje. Këtu ajo kishte takuar pacientin numër 1, një 38-vjeçar që është ende në gjendje të rëndë. Gruaja, e cila ishte gjithashtu pluripatologjike, vdiq në shtëpinë e saj. Ajo rezultoi pozitive me koronavirus. Viktima e tretë është një grua 68-vjeçare që vdiq të dielën në spitalin e Cremas.

Ajo ishte shtruar në spital që nga 18 shkurti në repartin e onkologjisë dhe kishte dalë pozitive. Dje, u zbuluan katër viktimat e fundit. Një 78-vjeçar që vdiq në spitalin “Papa Giovanni XXI” në Bergamo, i shtruar në spital për ca kohë për sëmundje të tjera; një burrë 88-vjeçar nga Codogno, kushtet e shëndetit të të cilit para vdekjes janë ende të panjohura; një 80 vjeçar nga Castiglione d’Adda që vuante nga zemra. I shtruar në spital, ai vdiq pasi u transferua në spitalin “Sacco” në Milano. Dhe pastaj një burrë 62-vjeçar, që vuante tashmë nga patologji të tjera, nga Castiglione d’Adda, por që vdiq në spitalin e Comos.

Ndikimi në një sistem të dobësuar

Pra, ka shumë të ngjarë që koronavirusi të jetë një shkak kontribues i vdekjes, sepse ai përkeqëson kushtet e njerëzve me sistem imunitar të dobët. Në fund të fundit, virusi është i ri, askush nuk është imun, askush nuk ka antitrupa për ta luftuar atë dhe pasojat i paguajnë njerëzit më të brishtë nga pikëpamja shëndetësore. Për dallim nga gripi, nuk ka asnjë vaksinë, asnjë ilaç për të trajtuar pneumoninë shumë të thellë që ndonjëherë mund të shkaktojë ky koronavirus. Siç na tregojnë të dhënat, për momentin, në Itali rreth 40% e personave me koronavirus pozitiv nuk shfaqin simptoma dhe as nuk e vërejnë se janë infektuar. Nuk ka absolutisht asnjë arsye që pneumonia të zhvillohet.