Kryesore Virusi po vret mjekët në Itali: 36 bluza të bardha kanë humbur...

Virusi po vret mjekët në Itali: 36 bluza të bardha kanë humbur jetën, mijëra të infektuar

Në Itali është rritur numri i mjekëve që e kanë humbur betejën me koronavirusin duke numëruar në total 36 të vdekur, të gjithë në rajonet veriore të vendit. Në mesin e bluzave të bardha numërohen më shumë se 6 mijë të infektuar me COVID-19.

Për këtë arsye, spitalet po përballen me një situatë gjithnjë e më shumë kaotike edhe pse nuk kanë munguar ndihmat nga Kina dhe Kuba. Franceska Rovati është infermiere në një spital në rajonin Emilia Romanja. Ajo rrëfen situatën e vështirë ndërsa të sëmurët me virusin vdekjeprurës shtohen çdo ditë e më shumë.

“Gjëja më e vështirë është përballja me vuajtjen, janë shumë persona të sëmurë,janë vetëm, ti je aty dhe nuk bën dot asgjë. Zhurma shurdhuese e oksigjenit është ajo që na shoqëron gjatë gjithë turnit. Ka njerëz që presin me ditë të tëra që të lirohet një shtrat. Edhe sot kanë ardhur shumë ambulanca me pacientë që kërkojnë oksigjen, dhe ne nuk mund ti dërgojmë ata në shtëpi”, thotë Franceska Rovati.

Në spital nuk shkojnë vetëm të moshuarit.

“Numrat vijnë gjithnjë e më shumë në rritje pasi jemi në fazën e shfaqjes së simptomave dhe shumica e atyre që vijnë kanë probleme të rënda respiratore. Ka shumë mbingarkesë dhe ne nuk arrijmë dot të kujdesemi si në kushte normale. Në spital ka pacientë të të gjitha moshave, të gjithë janë të rrezikuar prandaj mos e nënvlerësoni sëmundjen.”

Shtimi i testeve është një nevojë thelbësore për të gjurmuar rastet e infektuara por mediat italiane shkruajnë se vendi po përballet me një mungesë të lartë të tamponëve. Federata kombëtare e urdhrit të mjekëve kërkon me  urgjencë nga qeveria që të sigurohet testimi i të gjithë stafit mjekësor si dhe të shtohen pajisjet mbrojtëse.

Italia numëron 7503 viktima dhe rreth 75 mijë të infektuar. Njerëzit janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi ndërsa autoritetet monitorojnë edhe me dron zbatimin e karantinës. Kriza e shkaktuar nga koronavirusi ka reflektuar dëme të mëdha në ekonomi. Ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi vwren se një recesion i thellë është i pashmangshëm.