Politika Vizita në Estoni, Meta merr mbështetjen për procesin integrues në BE

Vizita në Estoni, Meta merr mbështetjen për procesin integrues në BE

Presidenti Ilir Meta ndodhet për një vizitë zyrtare në Estoni, ku është takuar me zyrtarë të lartë të këtij vendi. Në takimin me homologen Kersti Kaljulaid, Meta thotë se ka ndarë “të njëjtat vizione për sfidat e sigurisë europiane, proceset e integrimit euroatlantik dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes reciprok.”

“Vlerësova interesin e Presidentes për rajonin tonë dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën. E ftova për të vizituar Shqipërinë, ftesë që e priti me kënaqësi”, shprehet presidenti.

Presidentja estoneze ka theksuar se vendi i saj është një mbështetës i fortë i zgjerimit të BE-së, ndërkohë që kandidatët për t’u anëtarësuar duhet të vijojnë reformat në të mirë të qytetarëve të tyre.

“Estonia është, ka qenë dhe do të jetë një mbështetëse e fortë e zgjerimit të BE-së. Mbajtja e derës hapur ka qenë gjithnjë vizion i politikës sonë të fqinjësisë dhe zgjerimit. Sigurisht, vendet që synojnë BE-në duhet të vijojë me reformat, por këto reforma – sundimi i ligjit, përmirësimi i klimës për bizneset, respektimi i vlerave demokratike – nuk janë të nevojshme për BE-në, por për njerëzit e këtyre shteteve”, është shprehur Kaljulaid

Meta është takuar edhe me kreun e Parlamentit të Estonisë, Henn Polluaas, me të cilin ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe domosdoshmërinë për ta forcuar atë.