Bota Vjeshta e “përgjakshme” e studentëve në Greqi

Vjeshta e “përgjakshme” e studentëve në Greqi

Studentët grekë marshuan në rrugët e Athinës, duke shpalosur flamurin kombëtar të njollosur me gjak, i cili është ruajtur për 46 vjet nga të rinjtë e Partisë Socialiste. Kjo gjë ndodh çdo 17 nëntor, ditë kur automjetet e blinduara të policisë hynë në Politeknik për të shtypur me dhunë lëvizjen studentore, me urdhër të regjimit të kolonelëve. Më 17 nëntor 1973, junta ushtarake që drejtonte Greqinë vrau 24 studentë.

Nje foto e 17 nentorit 1973, kur nje tank po pergatitej te hynte mes studenteve qe kishin pushtuar universitetin Politeknik ne Athine

Pak para marshimit që nisi mbrëmjen e së dielës, u regjistruan përplasje të dhunshme në rrugët e kryeqytetit grek. Autoritetet arrestuan 28 persona, që sipas mediave vendase gjendeshin në çatinë e një ndërtese me maska anti-gaz, bomba  molotov  dhe gurë.

Pasditen e së dielës më shumë se 20 mijë persona marshuan nga politekniku deri në ambasadën amerikane.

Një nga manifestueset u shpreh se kishte qenë e revoltës studentore, ndërsa tani po protestonte për varfërinë, për njerëzit që nuk kanë asgjë për të ngrënë dhe për problemet që po kalon vendi.

Gjatë marshimit, që zgjati katër orë, shumë parulla të manifestuesve ishin kundër diktaturës, policisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që akuzohen se kanë mbështetur juntën ushtarake në ato vite.

Pas gjysmë shekulli, lëvizja studentore përjeton një tjetër vjeshtë të nxehtë pas anulimit të azilit universitar, normës që, përveç rasteve të jashtëzakonshme, ndalon hyrjen e forcave të rendit në ambientet e universiteteve. Sipas studentëve në protestë ky është një hap prapa i rrezikshëm.