Kosova Vjosa Osmani: Ja pse po humbin jetën shumë qytetarë në Kosovë

Vjosa Osmani: Ja pse po humbin jetën shumë qytetarë në Kosovë

Në kohën kur Kosova po vuan vdekshmëri të lartë nga koronavirusi, kryeparlamentarja Vjosa Osmani ia faturoi treguesit mortorë të Kosovës ndotjes së ambientit. Ajo ishte në Mitrovicë, një ish-qytet industrial i epokës jugosllave, prej nga e konsideroi alarmante gjendjen e mjedisit në Kosovë.

“Është mirë që të mos flasim për ambientin vetëm një ditë në vit, kur kemi Ditën e Tokës ose një javë në vit, por të flasim çdo ditë sepse në Kosovë numri i qytetarëve që vdesin për shkak të ambientit të ndotur, për shkak të sëmundjeve që shkaktohen qoftë nga ajri i ndotur, qoftë qasja në ujë të pastër, është numër i madh.

Prandaj, duhet të fillojmë të flasim… Kemi ardhur në Mitrovicë për shumë arsyeje sepse ka pas shumë qytetarë që na kanë ftuar dhe për shkak se e dimë të kaluarën industriale të Mitrovicës e cila ka qenë edhe e lavdishme, por në anën tjetër ka lënë pasoja të mëdha në ambientin që jemi rritur shumë prej nesh dhe e treta për të shprehur përkrahjen tonë të plotë për Mitrovicën që të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që çështjen e ambientit ta rregullojmë shumë më mirë që ka qenë”, tha Osmani.

Vizita e kryeparlamentares Osmani në Mitrovicë hyn në kuadër te “Vizitat e gjelbra nëpër komunat e Kosovës”.

Nga ana tjetër, ajo tha se ishte për një kohë të gjatë në politikë, duke aluduar se nuk do mund të eliminohej kollaj nga partia e saj LDK, pas çarjes mes tyre për shkak të rrëzimit të qeverisë “Kurti”.

“Do të më shihni edhe shumë gjatë në skenën politike të Kosovës dhe do të më shihni me njerëzit që ja duan të mirën Kosovës dhe tash po shihet se kush ja don të mirën Kosovës. Unë do të jem aty ku më duan qytetarët…”, deklaroi Osmani.