Kosova Vjosa Osmani paralajmëron LDK: Do përballemi në zgjedhje, vetëm populli më rrëzon

Vjosa Osmani paralajmëron LDK: Do përballemi në zgjedhje, vetëm populli më rrëzon

Vjosa Osmani ka reaguar pas shkarkimit nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së LDK-së.

Ajo ka dhënë disa arsye pse u shkarkua nga këto dy pozita, ndërsa ka falënderuar 53 anëtarët e Këshillit Drejtues që votuan kundër shkarkimit të saj.

Osmani ka paralajmëruar se shumë shpejt do të mbahen edhe zgjedhjet e brendshme partiake, ku u ka bërë me dije se do të jetë kandidate për kryetare të LDK-së.

Përmes një statusi të gjatë në faqen e saj në Facebook, kryetarja e Kuvendit thotë se i vetmi vend ku mund të përballet me ata që e shkarkuan, edhe për faktin që ishte grua, janë zgjedhjet.

“Po përjashtohem e diferencohem sepse: Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti; Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti; Thashë se nuk do ta përkrah asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti. Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti; Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti; Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalën. U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundërshtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar.

Por, të dashur qytetarë të Kosovës, sistemet që themelin mbi të cilin qëndrojnë e kanë diferencimin, janë gjithnjë të destinuara të dështojnë. Kështu ka qenë në të kaluarën, e kështu do të jetë edhe tash e tutje, të jeni të bindur. Prandaj po e përsëris atë që e kam thënë në Kuvend më 25 mars: Në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor. Unë e kam provuar në lëkurën time më shumë se njëherë. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba.

E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër që sot votuan për përjashtimin e diferencimin tim. Por është një udhë që unë e kam ndjekur këto 20 vjet e ajo është udha që ta shtron besimi qytetarë dhe asaj nuk e kam ndërmend t’i ndahem kurrë. Në secilën betejë, do të jem me qytetarët, deri në fund. I falënderoj 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik. Ndërsa për diferencuesit e sotëm, shihemi në garën zgjedhore së shpejti.

E aty do ta shohim se kush do të fitojë kur të dalim para qytetarëve. Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë. Bring it on!”, shkruan Osmani në Facebook.

Lumë komentesh e shpërndarjesh në statusin e Vjosa Osmanit pas shkarkimit

Pas reagimit të Vjosa Osmanit lidhur me shkarkimin e saj nga postet e LDK-së, mijëra shqiptarë janë ndalur pak çaste për t’i shkruar asaj komente. E ndër komente është shumë e vështirë të gjesh ndonjë me qasje negative ndaj Osmanit, për të mos thënë është e pamundur.

Ajo ka marrë shumë vlerësime nga shqiptarët e Kosovës, e jo vetëm, lidhur me qëndrimet e saj karshi qeverisë Hoti.