Kosova Vjosa Osmani: SHBA na ka kërkuar të strehojmë emigrantë afganë, pranova pa...

Vjosa Osmani: SHBA na ka kërkuar të strehojmë emigrantë afganë, pranova pa hezitim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova të strehojë përkohësisht qytetarët nga Afganistani. Në një postim në mediat sociale, Osmani shprehet se kërkesa e Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken, është përcjell nga ana e ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Phillip Kosnett.

“Më 16 Korrik, pak ditë pasi bota, e sidomos ne në Kosovë shënuam Ditën Botërore të Refugjatëve, jam kontaktuar nga Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, i cili përcillte një kërkesë nga Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken. Kërkesa kishte të bënte me strehimin e përkohshëm të afganëve, civilë të pafajshëm, të cilët tani ishin në shënjestër të Talibanëve, vetëm sepse kishin qëndruar në anën e aleatëve tanë, në anën e paqes e demokracisë, në anën e barazisë e të drejtësisë. Ata ishin punëtorët lokal që kishin punuar bashkë me forcat amerikane, si dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijë”, shkruan Osmani.

Presidentja thekson se ajo ka dhënë pëlqimin për një operacion të tillë duke u nisur nga parimi njerëzor.

“Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar, duke u nisur së pari nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; së dyti, për shkak se si anëtare e denjë e komunitetit të shteteve të lira, Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu siç na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq”, vijon reagimin e para e shtetit të Kosovës.

Më herët dhe qeveria e Kosovës ka pranuar se ka zhvilluar bisedime më SHBA-në për marrjen e emigrantëve nga Afganistani.