Aktualitet Vjosa Osmani: Shqipëria ia ka borxh Kosovës zbardhjen e vrasjes së kolonel...

Vjosa Osmani: Shqipëria ia ka borxh Kosovës zbardhjen e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë sot se kolonel Ahmet Krasniqi dha gjithçka për vendin dhe nuk mori asgjë si shpërblim përveç një plumbi të pabesë.

Në përkujtim të rënies në tij nga vrasja që iu bë në Tiranë në vitin 1998, pas përurimit të shtatores së tij në sheshin e Vushtrrisë, Osmani shtoi se Tirana ia ka borxh Kosovës zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit, duke shtuar se po flitet shumë për vrasjen e tij, por që nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

“Kontributi i tij i ka rrënjët thellë në liri dhe pa këtë vizion të tij dhe bashkëluftëtarëve tjerë, ne sot nuk do ta gëzonim lirinë. Vrasja tinëzare ishte tepër e rëndë. Ai u vra në Tiranë gjatë përpjekjeve titanike të tij për ndaljen e represionit të Serbisë. Sot për të flitet shumë, por nuk është bërë asgjë për zbardhjen e vrasjes së tij. Ne e kemi borxh zbardhjen e vrasjes së tij.

Në skenën tonë politike është bërë rutinore që të gjejnë strehë në bashkëpunim edhe ata që dikur rivalitetin politik e shihnin edhe në tytën e armës. Zëri i kolonelit thërret për unifikim, por jo unifikim me krimin, por me ata që e duan Republikën sikurse Ahmet Krasniqi. Tirana ia ka borxh Kosovës dhe gjithë shqiptarëve zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit”, tha në mesazhin e saj kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ahmet Krasniqi u vra më 21 shtator 1998 pak para mesnate në Tiranë. Ai ishte ministër i mbrojtjes në Qeverinë e Bujar Bukoshit.