Shëndet Vlerat ushqimore të boronicave të veriut të Shqipërisë

Vlerat ushqimore të boronicave të veriut të Shqipërisë

Specialistët thonë se sa më e egër aq më e mirë, sa më e zezë aq më e ëmbël është boronica.

Ky frut magjik gjendet edhe në Shqipëri dhe konkretisht në Tropojë, Kukës dhe Pukë, të cilat shpërndahen në tregjet e Europës.

Boronicat shqiptare, sipas ekspertëve, shiten sa hap e mbyll sytë, për shkak të cilësisë së lartë pasi rriten në bjeshkë, por dhe të çmimit të ulët. Shumica e njerëzve që i mbledhin vijnë nga fshatrat në afërsi të bjeshkëve kryesisht në Tropojë, që njihet dhe si vendi me prodhimin më të lartë të boronicave në vend.

Është një shkurre e vogël, shumë e degëzuar, gjithmonë e gjelbër, 50-70 cm e lartë. Gjethet i ka eliptike, me majë, të dhëmbëzuara, të këmbyera. Lulëzon në maj-qershor, ndërsa fryti, bakë blu në të zezë, piqet në korrik-shtator.

Banorët vendës e kalojnë verën atje, burrat dhe fëmijët kullosin bagëtinë, ndërsa gratë dalin në mëngjes të gjitha së bashku dhe nisen drejt pyjeve për mbledhjen e boronicave me gërhan- (krehër për mbledhjen e boronicave në shkurre). Pas orëve të tëra me kovat mbushur plot, malësore kthehen dhe shtrojnë çarçafë dhe nisin tharjen e gjysmës së sasisë. Kjo bëhet që boronica të rrojë më gjatë, e këshut ato të kenë mundësi të shiten në dimër. Të thatat zakonisht bëhen çaj, ndërsa të njomat bëhen reçel, lëng, gliko apo u shtohen ëmbësirave të ndryshme.

Boronicat janë çelësi i trurit të shëndetshëm

“Rregullon shikimin dhe kjo u vërejt për herë të parë në Luftën e Dytë Botërore, kur pilotët përdorën shumë boronica. Kështu, u pa në mënyrë◄ specifike se këta kishin një aftësi të të pari më të mirë se grupet e tjera të pilotëve. U vërtetua se antracianozidi i boronicës vepron mbi enzimën retinike, duke rritur shpejtësinë e rigjenerimit të pigmentit retinik dhe duke përmirësuar në këtë mënyrë vizionin (te parit).

Që të shohësh mirë dhe të ruash sytë, haje boronicën të freskët. Luftoje diabetin, duke e përdorur boronicën në verë, për 30 ditë”, thotë dr. Zef Mulaj

Ato kërkohen shumë, por jo çdokush mund t’i blejë. Boronica lufton kancerin, ndihmon trurin dhe zemrën, mbron sytë dhe lëkurën. Antioksidantët që gjenden tek boronicat janë aq të forta sa janë të afta për të neutralizuar radikalet e lira që lidhen me zhvillimin e disa sëmundjeve kardiovaskolare apo kancerogjene. Ky superfrut është jo vetëm shumë i shijshëm, por dhe super i shëndetshëm.

Pa yndyrna dhe me rreth 80 kalori për një kupë, boronicat janë të pasura me fibra që të mbajnë të ngopur për një kohë të gjatë. Vetëm disa boronica përmbushin nevojën ditore për fibra. Për më tepër boronicat janë një burim i shkëlqyer manganezi, i cili luan një rol të shkëlqyer në konvertimin e karbohidrateve dhe yndyrnave në energji. Boronicat përmbajnë dhe shumë vitaminë C, e cila ndihmon në formimin e kolagjenit dhe ndihmon për të pasur mishrat e dhëmbëve të shëndetshëm. Gjithashtu boronicat, së bashku me luleshtrydhet mendohet se kanë një ndikim shumë pozitiv në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiake tek femrat. Por jo vetëm kaq, ato gjithashtu ulin rrezikun e kancerit.

Lëngu i boronicave

Boronicat këshillohen për parandalimin e infeksioneve te rrugëve urinare, pasi kane një efekt te fuqishëm diuretik dhe anti inflamator, por ato rekomandohen edhe për shëndetin e sistemit kardiovaskular. Sigurisht, shumë nga këto veti mund të shfrytëzohen edhe duke konsumuar boronica te freskëta.

Për ta bërë këtë malësoret shqiptare pasi i shtypin mirë i hedhin ujë dhe i lënë tërë natën. Të nesërmen i kullojnë me një garzë dhe me ujin brisk të malit nisin mbushjen e shisheve apo enëve të tjera.

Reçel boronice

Boronica për t’u bërë reçel pastrohet e më pas kalohet në pajisjen grirëse që të bluhet. Pasi është bluar hidhet në enë dhe përzihet me sheqer, ku sasia e sheqerit është 30% dhe lihet që të valojë deri në temperaturën 100º. Menjëherë sapo e heqim nga zjarri e hedhim të nxehtë nëpër kavanozë. Reçeli i boronicës, në kushte të mira të ruajtjes së tij, mund të durojë deri në më shumë se 1 vit.

Çaj boronice

Zakonisht kur bëhet çaji, boronica është e tharë në diell.

Bëhet si çaj i zakonshëm duke e zierë për disa minuta dhe më pas e hedhim në filxhan dhe e ëmbëlsojmë me pak mjaltë.

Me gjethet e boronicës përgatitet një çaj që pihet i nxehtë dhe shërben shumë mirë kundër ngërçeve të stomakut, kundër të vjellave, si dhe kundër dobësive urinare. (Çaji përgatitet me një lugë gjelle gjethe të thata në dy filxhanë çaji me ujë të nxehtë).

Po ky çaj, i përdorur i ftohtë për kompresa dhe shplarje tre-katër herë në ditë, shëron infiamacionet e syve, sidomos nëse lejojmë që disa pika nga ky çaj të futen brenda në sy.