Sport Vllaznia shkruan historinë, vajzat shkodrane për herë të parë në grupet e...

Vllaznia shkruan historinë, vajzat shkodrane për herë të parë në grupet e Champions League

Një arritje historike, Vllaznia e femrave kalon për herë të parë në grupet e Champions League. Vajzat shkodrane e realizuan objektivin e tyre mes një drame në fundin e takimit që u kthye në festë.

Rivali ishte Vorskla nga Ukraina. Për shkak të luftës, të dyja ndeshjet u zhvilluan në Shqipëri. Takimi i parë përfundoi në shifrat 1-1, ndërsa sot luhej edhe akti i fundit për të përcaktuar ekipin që do të kalonte në grupet e Champions League.

Vllaznia e mbylli pjesën e parë në shifrat 1-0 falë golit të Patterson në të 33. Por në minutën e 84 do të akordohej një penallti për Vorsklan. Gardiania e Vllaznisë arriti ta priste penalltinë dhe teksa ishte në eufori e sipër, bëri një gabim në goditjen e këndit vetëm pak sekonda më vonë, duke i dhuruar barazimin ukrainaseve.

Por Gresa Berisha dhuroi një perlë të vërtetë nga distanca duke e ndalur topin në fundin e rrjetës, në minutën e 89. Asnjë shpresë për kundërshtaret që të rikthenin sërish ekuilibrin, ndërsa Shqipëria përfaqësohet në nivele të larta edhe nga një ekip femrash.

Kështu vajzat shkodrane festuan me të drejtë një arritje ekzemplare, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në grupet e kompeticionit më të rëndësishëm europian, duke përfaqësuar më së miri Shqipërinë.

Vajzat shkodrane do të mësojnë emrat e klubeve kundërshtare në datën tre tetor me shortin që do të mbahet në Nyon, ndërsa kompeticioni nis më datë 19 tetor.