Kryesore VOA: Presidenti Meta fut në kaos Gjykatën Kushtetuese, dy emra për një...

VOA: Presidenti Meta fut në kaos Gjykatën Kushtetuese, dy emra për një post

Kaos me emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Presidenti Ilir Meta njoftoi sot pasdite dekretimin e Marsida Xhaferllarit për vakancën e shpallur prej tij në muajin mars të këtij viti. Presidenti Meta do të duhej të ishte shprehur për kandidatët e listuar për këtë vakance që javën e shkuar, kur më datë 7 nëntor skadonte afati 30 ditor që përcakton ligji, por ai bëri të ditur se vendosi të pezullonte procedurën, pasi sipas tij, radhën për të zgjedhur e kishte parlamenti e më pas ai vetë, duke ju referuar përcaktimit kushtetues sipas të cilit “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Por ky interpretim i presidentit nuk u konsiderua i vlefshëm. Sipas shumicës, rendi në emërime lidhet me faktin që çdo tre vjet Gjykata Kushtetuese duhet të ripërtërijë një të tretën e saj, ndërsa veprimi i pezullimit nga ana e presidentit nuk është i parashikuar si opsion. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nga ana e tij, konsideroi se Kreu i Shtetit nuk ushtroi kompetencën e tij, e për pasojë, siç përcakton ligji, automatikisht, shpallet i emëruar i pari në listë, dhe në këtë rast kandidatja Arta Vorpsi.

Me vendimin e sotëm të presidentit Meta, i cili në mbrëmje do të dalë në konferencë shtypi, për të njëjtin vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, janë emëruar dy anëtarë. Vorpsi, emërimi i së cilës është botuar në Fletoren Zyrtare, dhe Xhaferllari, për të cilën ka një dekret të presidentit. Vorpsi nga ana e saj megjithatë nuk mund të ushtrojë detyrën pa u betuar më parë te presidenti, i cili, ndërkohë vuri gishtin mbi emrin tjetër. Në të gjithë këtë kaos, duket se nuk ka rrugëdalje, përsa kohë, Gjykata Kushtetuese, i vetmi organ mbi institucionet e tjera, është vetë, ende jashtë funksionit./VOA