Kryesore Vogëlushja italiane, letër prekëse për fëmijët shqiptarë të prekur nga tërmeti

Vogëlushja italiane, letër prekëse për fëmijët shqiptarë të prekur nga tërmeti

Një vogëlushe italiane ka bërë një gjest vërtet prekës. E tronditur nga lajmi i tërmetit Emily ka shkruar një letër për fëmijët shqiptarë ku i shpreh solidaritetin. Jo vetëm kaq, ajo bashkangjit dhe një 5 eurosh për të blerë mëngjesin për fëmijët e prekur nga tërmetit.

Vogëlushja jeton në qytezën e vogël Agordo që ka vetëm  4 mijë banorë në provincën e Bellunos në Itali.

Letra e kësaj vogëlushe italiane i drejtohet punonjësve të Mbrojtjes Civile Italiane të cilës i kërkon ndihmë të dërgojnë në Shqipëri pikturën e saj si dhe 5 euro, me preokupimin fëminor që ata fëmijë që ajo ka parë në televizor të mos rrinë pa ngrënë mëngjes.

“E dashur Mbrojtja civile e Bellunos. Unë jam Emily e sot kur u zgjova në mëngjes dëgjova  në lajme për lajmin e keq. Mami im që tani është duke pirë kafe, më shpjegoi se në Shqipëri pati një tërmet të fortë. Unë imagjinova ata fëmijë që po flinin në krevatet e tyre të ngrohta, pranë mamit a babit ose pranë vëllezërve të tyre, e do jenë trembur shumë. Më vjen kaq keq e uroj të mos dëgjoj më lajme të tilla në televizor. Nga frika ata fëmijë nuk do të kenë ngrënë as mëngjes. Unë nuk jam shqiptare por dua t’u them atyre fëmijëve se dëshiroj të jem mikja e tyre e zemrës. Nuk di si t’ia bëj e dua që ju të më ndihmoni t’i dërgoj fëmijëve të Shqipërisë këtë pikturën time që ata ta shohin se unë i kam menduar e më vjen shumë keq për atë çfarë u ka ndodhur. Shpresoj që të jenë përsëri të qetë e të lumtur me familjet e tyre. Ju përshëndes fëmijë shqiptarë e po ju nis dhe 5 euro kështu që nesër të hani mëngjes.”

Letra mban datën 26 nëntor 2019, dita kur tërmeti i fortë që  goditi Shqipërinë shkaktoj viktima e të plagosur, raporton Ora.