Politika Vokshi: Nuk ulemi për dialog me Ramën. Protesta e sotme nuk do...

Vokshi: Nuk ulemi për dialog me Ramën. Protesta e sotme nuk do të jetë si të tjerat

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka deklaruar sot në një intervistë televizive se, protesta e sotme e opozitës nuk do të jetë protestë si të tjerat. “Do të jetë marshim protestë. Do te jetë ndryshe nga herët e tjera. Informacionet janë që përmasat kësaj proteste kalojnë çdo herë tjetër”.

E pyetur për mundësinë e dialogut me Ramën, Vokshi tha se, “ajo që kërkon opozita është votë e lirë dhe e ndershme. Nuk kërkojmë pushtet. Nuk ulemi me Edi Ramën, nuk ulemi me atë që është fajtori për krizën politike, kushtetuese, ekonomike, sociale. Edi Rama është bërë palë vetëm me sektin kriminal të rilindjes. Nëse largohet Rrama do të ketë dialog me PS, jo me Edi Ramën”.

Vokshi theksoi se Kryeministri Rama nuk mban dot pushtetin me arrestime politike.  Sipas Vokshit sot në Shqipëri është rikthyer diktatura. “Nuk mban dot pushtet Rama as me arrestime politike, as me dhunë. Sepse ato që janë në burg janë arrestime politike. Edi Rama ka kthyer diktaturën. Kjo është diktaturë. A është diktaturë kur nuk ke të drejtën e protestës? Kur proteston dhunohesh? Kur deputeti arrestohet sepse mbështet një protestë. Kur sekretari organizativ dhunohet?”, tha Vokshi.

Sipas saj gjatë protestës, “protestuesit provokoheshin me gaz helmues që është hedhur në mënyrë kriminale”.

Vokshi gjithashtu shtoi se edhe ajo është dhunuar. “Jam goditur. Kam qenë vetëm femër kam shkuar të pyes ku është z. Dollapi dhe më ka treguar fotoreporteri Arben Dajçi kanë rrahur Sait Dollapin hajde e gjejmë se e ka rrahur policia. I jam drejtuar komandantëve ku është z. Dollapi. Isha vetëm. Kur më bëhet mua imagjinoni se çfarë bëhet me një qytetar të thjeshtë”, tha ajo.

Vokshi u shpreh se, “është e vështirë të mbash në kontroll qytetarë që provokohen në mënyrë sistematike, qoftë verbale, qoftë fizike, qoftë institucionale në mënyrë të përditshme nga Edi Rama dhe enturazhi i tij. Nëse prindi i dhunuar në mënyrë sistematike nuk mund t’i japë fëmijëve tre vakte ngrënie në ditë dhe proteston dhunohet. Nëse qytetari shkon të bëjë një gjilpërë dhe vjen për të protestuar, dhunohet me gaz helmues”.

Vokshi tha se, “dhuna është e dënueshme, jo simbolika. Ajo që Rama kërkon ta paraqesë në sytë e ndërkombëtarëve si dhunë. Hajde shkojmë të shohim nëse ka dëme, qoftë dhe një institucion i vetëm. Do të mbajë përgjegjësi kushdo që ushtron dhe ka ushtruar dhunë. Do t’i depozitoj edhe tek SHÇBA. Është e dënueshme edhe dhuna ndaj medieve. Por Rama ta harrojë nuk mban dot pushtet me dhunë”.