Bota Von der Leyen akuzon Erdogan për seksizëm: Më la në këmbë pasi...

Von der Leyen akuzon Erdogan për seksizëm: Më la në këmbë pasi jam grua

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka akuzuar presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, për seksizëm, duke kujtuar incidentin e ndodhur gjatë vizitë së saj në Ankara dy javë më parë.

Në atë takim, ishin vendosur vetëm dy karrige në qendër të sallës, ku u ul Erdogan dhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ndërsa Von der Leyen u detyrua të ulej në një divan, pas disa sekondash tepër të sikletshme në këmbë.

“Nuk gjeta asnjë justifikim për atë që ndodhi. Prandaj më duhet të dal në përfundimin se ndodhi pasi unë jam një grua”, tha Von der Leyen.

“Unë jam gruaja e parë që bëhet presidente e Komisionit Europian. Jam presidente e Komisionit Europian dhe prisja që të trajtohesha si e tillë kur vizitova Turqinë. A do të kishte ndodhur kjo po të kisha veshur kostum dhe kravatë? Në fotot e mëparshme që kam parë, nuk dallova mungesë karrigesh, por gjithashtu nuk pashë asnjë grua në takime”.