Kryesore Von der Leyen: Edhe skeptikët janë pro zgjerimit për Shqipërinë dhe RMV

Von der Leyen: Edhe skeptikët janë pro zgjerimit për Shqipërinë dhe RMV

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka deklaruar se shumica e udhëheqësve të 27 vendeve anëtare janë shprehur në favor të zgjerimit më Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Janë dy gjëra nga sot, duke dëgjuar debatin dhe komentet e liderëve, shumica dërrmuese ka shprehur mbështetjen për procesin e zgjerimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përfshi këtu edhe më skeptikët dhe kjo është një shenjë shumë e qartë”, deklaroi Von der Leyen.

Presidentja e Komisionit shprehu besim të plotë se mosmarrëveshja midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e cila dhe ka penguar, integrimin jo vetëm të RMV por edhe të Shqipërisë do të zgjidhet së shpejti.

Sipas Von der Leyen, investimi prej €30 miliardësh në rajon është tregues i qartë i angazhimit të BE.

“Fakti që po investojmë €30 miliardë për rajonin tregon qartazi qëllimin tonë. Jemi plotësisht të bindur që kjo nuk do i shërbejë vetëm Ballkanit Perëndimor, por është edhe për të mirën e Bashkimit Europian dhe kjo do të zbusë rrugëtimit drejt zgjerimit”, përmbylli Presidentja e Komisionit.

Udhëheqësit e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian u takuan sot në Brdo të Sllovenisë me krerët e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor në kuadër të agjendës strategjike 2019-2024.