Kryesore Votimet e qeta, pas bojkotit të opozitës tërheqin vëmendjen e medias ndërkombëtare

Votimet e qeta, pas bojkotit të opozitës tërheqin vëmendjen e medias ndërkombëtare

Zgjedhjet e kundërshtuara lokale në Shqipëri u zhvilluan në qetësi të plotë, pavarësisht thirrjes për bojkot nga ana e opozitës së qendrës së djathtë të drejtuar nga Lulzim Basha, i cili nuk merr pjesë pasi ka akuzuar mazhorancën socialiste për parregullsi të rënda gjatë zgjedhjeve të kaluara, shkruante dje agjencia italiane e lajmeve, ANSA.

“Ajo që është më e rëndësishme sot është mësimi historik që kjo ditë do t’i japë të gjithëve, sepse, një herë e mirë do të konfirmohet se me popullin nuk luhet, se sovraniteti i popullit nuk është një fjalë boshe. Dhe kush tenton t’ia marrë popullit sovranitetin nuk ka asnjë fund tjetër përveç se fundit me dështim dhe me turp”, tha Rama duke dalë nga qendra e votimit.

”Selitë më të rëndësishme europiane dhe ambasada amerikane kanë dërguar në terren një numër vëzhguesish për të ndjekur procesin e votimit”, shton ANSA.

‘’Shqiptarët kanë votuar në zgjedhje si asnjë herë tjetër, pasi opozita i bojkotoi ato, ndërkohë që incidente të vogla ndodhën në disa qendra votimi’’, shkruan rrjeti informative britanik, BBC.

”Për muaj të tërë opozita ka zhvilluar protesta duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit si edhe zgjedhje të reja të përgjithshme”, shton ai.

”Zgjedhjet u bënë edhe pse kritikët i konsideruan ato si zgjedhje jo të duhura, duke marrë parasysh mungesën e konkurrencës”, thekson BBC.

”Zgjedhjet lokale në Shqipëri… u zhvilluan në qetësi të plotë dhe pa incidente serioze”, shkruan agjencia e njohur italiane e lajmeve, agenzinova.it.

”Shqipëria mënjanoi një konflikt të mundshëm të brendshëm që nga momenti kur lideri i opozitës së djathtë, Lulzim Basha, kërcënoi për bojkotimin e procesit zgjedhor dhe për moszhvillimin e tyre, por që përfundoi duke u kërkuar qytetarëve që të mos merrnin pjesë në zgjedhje”, thekson kjo agjenci.

”Zgjedhjet për kryetarët e bashkive shqiptare, të bojkotuara nga partitë e opozitës u zhvilluan paqësisht… Përfaqësitë europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje partive shqiptare, që të shmangin dhunën gjatë zgjedhjeve”, shkruan gazeta britanike ”Daily Mail”.

”Bashkimi Europian, që do të vendosë në vjeshtë nëse do të fillojë bisedimet e pranimit me Tiranën, ka paralajmëruar politikanët e vendit se dhuna dhe grindjet mes dy palëve do të jetë në vëmendjen e tyre dhe se ato do të ndikojnë në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, shton ”Daily Mail”.