Kryesore “Votimi i parlamentit holandez për vizat, rast i izoluar pa efekt domino”

“Votimi i parlamentit holandez për vizat, rast i izoluar pa efekt domino”

“Vendimi i parlamentit holandez është rast i izoluar, pa efekt domino”, deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj.

I ftuar në një studio televizive, Cakaj komentoi vendimin e djeshëm të parlamentit holandez për t’i kërkuar Brukselit që të rikthejë vizat për shqiptarët.

Cakaj tha se “vendimi ka ardhur si rrjedhojë e situatës politike aktuale në Holandë për shkak të zgjedhjeve, por KE do ta rrëzojë, pasi Shqipëria nuk ka cenuar asnjërin nga kushtet”.

“Dua të sqaroj se nuk do të ketë tërheqje të vizave për shqiptarët, pasi nuk janë kushtet teknike. Vendimi i parlamentit është propozim për qeverinë holandeze dhe qeveria duhet t’i adresohet Komisionit Europian. Një vendim i tillë është i motivuar politikisht, rezultati i zgjedhjeve të fundit rajonale në Holandë ka shfaqur më shumë populizëm dhe eurospekticizëm dhe tani janë zgjedhjet e PE. Kjo është prapavija politike. Heqja e vizave është e pamundur. Nuk do të ketë heqje të vizave. Qëndrimet politike janë të motivuara mbi kalkulimet elektorale”, tha Cakaj.

Lidhur me çeljen e negociatave, Cakaj tha se “Shqipëria do të zhvillojë një fushatë lobimi të fuqishme në vendet anëtare për t’i bindur për vendimin për hapjen e negociatave”.

“Pas momentit të zgjedhjeve, të majit dhe publikimit të raportit të progresit, ku presim rekomandim të pakushtëzuar edhe disponimi i vendeve anëtare do të ndryshojë, do të jetë pritshëm në favor të Shqipërisë. Arbitri më i lartë për interpretim të Shqipërisë është KE, në presim rekomandim pozitiv”, – tha Cakaj.

Sipas tij, “jo vetëm në Holandë, por trendet populiste janë në rritje e sipër në Europë dhe procesi i hapjes së negociatave nuk është i lidhur vetëm me reformat në Shqipëri, por edhe punët e brendshme në vendet e BE-së”.

“Nuk marr përsipër që të flas për Holandën, por për reformat në Shqipërisë që presin të vërtetohen, që të flas për bashkëpunimin me KE, për raportimin e reformave, përmbushjen e kushteve që janë kërkuar nga Këshilli, që do të përmbushen që në fillim të këtij qershori, nga trupa gjyqësore, deri te reforma elektorale për të bindur vendet anëtare që meritojmë hapjen e negociatave”, – tha ai.

Lidhur me vendimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili nuk pranoi ta dekretonte në postin e Ministrit të Jashtëm, Cakaj tha se “ai është Presidenti i Republikës së Shqipërisë, përfaqësues i unitetit kombëtar dhe unë do ta respektoj institucionalisht deri në fund. Asnjë koment politik kundër figurës së tij nuk do të dalë nga ana ime”.