Bota Votimi për “impeachment”, Trump sulmon Pelosin

Votimi për “impeachment”, Trump sulmon Pelosin

Presidenti amerikan Donald Trump shfryn të gjithë zemërimin për hetimin kundër tij, në një letër dërguar Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Ai akuzon zyrtaren më të lartë demokrate se i ka shpallur luftë të hapur demokracisë amerikane.

“Ti ke zhvlerësuar rëndësinë e fjalës shumë të shëmtuar, impeachment”–shkruan ndër të tjera në letrën, dërguar nga Trump.

Të mërkurën Dhoma e Përfaqësuesve voton për “impeachment”, ngritjen e akuzave formale kundër presidentit, lidhur me pretendimet si i ka bërë presion Ukrainës të hetojë rivalin demokrat Joe Biden. Ai pritet të bëhet presidenti i tretë në historinë amerikane që do të gjykohet në Senat. Më pak shpresë për të ndryshuar rezultatin e votimit të së mërkurës, kreu i Shtëpisë së Bardhë e përdori letrën prej 6 faqesh për të sulmuar procesin dhe denoncuar, Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve.  Kjo konsiderohet një ndërhyrje e pazakontë e presidentit, i cili ka bërë rezistencë ndaj procesit duke penguar dëshmitarë kyç të dëshmojnë.

“Ata e dinë se është një sajesë, një gjueti shtrigash. Po vazhdon prej tre vitesh, e me shumë gjasë ka filluar para se unë të fitoja zgjedhjet. Është një turp”, tha Trump.

Pelosi e cilësoi si një përpjekje të sëmurë atë të Trump, edhe pse tha se për gazetarët në Capitol Hill se nuk e kishte lexuar të gjithë letrën. Ndërsa njoftoi votimin e së mërkurës për “impeachment”, ajo tha se Dhoma e Përfaqësuesve do të ushtronte një prej fuqive më solemne të garantuara nga Kushtetuta.

Trump përballet me dy akuza, pengim të Kongresit; duke rrëzuar bashkëpunimin dhe përpjekje për të abuzuar më pushtetin për të hetuar rivalin demokrat Joe Biden. Nëse Dhoma voton në favor të “impeachment”, siç edhe pritet, Trump do të përballet me një proces gjyqësor në Senat kur senatorët nga të dyja partitë do të veprojnë si juristë të pavarur.