Aktualitet Vrasja e 26-vjeçarit pas konfliktit për një vajzë/ Motra e të ndjerit...

Vrasja e 26-vjeçarit pas konfliktit për një vajzë/ Motra e të ndjerit rrëfen telefonatën e fundit më vëllanë

26-vjeçari Martin Çeço u gjet i pajetë në rezervuarin fshatit Kolanec të Maliqit, ku sipas Policisë dyshohet të jetë vrarë. Në prangat e “bluve” ranë tre autorët e dyshuar: Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj. Dyshohet se shkak i vrasjes ka qenë konflikti për një vajzë të mitur, me të cilën dyshohet që kishte lidhje viktima dhe një prej autorëve.

Motra e 26-vjeçarit, Katerina Ago, tregoi për MCN TV bisedën e fundit me vëllanë tre ditë para se të zhdukej.

“Unë jetoj në Greqi. Vëllai më ka marrë në telefon tre ditë para se të zhdukej. Qante dhe më thoshte jam i mërzitur sepse më kërcënojnë disa persona. Por nuk më tregonte se kishte një konflikt dhe kush ishin personat që e kërcënonin. Ishim në dijeni të lidhjes me një vajzë, por arsyet dhe emrat e tyre nuk na i tregonte. Vëllai jetonte vetëm me babanë“.

Mësohet se ky i fundit është në gjendje të rëndë psikologjike në Spitalin e Korçës.

Një prej fqinjëve Ditke Dokolli tregon se viktima dhe i ati punon bashkë dhe s’kishin konflikte.

“Jetonin me djersë mezi nxirrnin bukën nga toka dhe shitja e druve. Martini ishte tip i mbyllur dhe nuk i binte në qafë njeriu. Jemi të tronditur nga kjo që ka ndodhur“.