Aktualitet Vrasja e Devi Kasmit, dënohet me burgim të përjetshëm Aurel Hoxhallari

Vrasja e Devi Kasmit, dënohet me burgim të përjetshëm Aurel Hoxhallari

Viktima, Devi Kasmi

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me burgim të përjetshëm Aurel Hoxhallarin për vrasjen e Devi Kasmit.

“Gjykata, bazuar në nenet 112, 375, 379, 380, 383, 384, 390, 393, 415, si dhe 190 të Kodit të Procedurës Penale vendosi Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim për interes”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 si edhe në bazë të nenit 334, pika 3 të Kodit Penal, dënimin e tij me burgim të përjetshëm”, thuhet në deklaratën e gjykatës.

Hoxhallari është shpallur fajtor edhe për armëmbajtje pa leje, kultivim e shitje të narkotikëve dhe grup i strukturuar kriminal. Gjykata e Posaçme ka urdhëruar që Hoxhallari ta kryejë dënimin në një Institucion të Sigurisë së Lartë.

Kujtojmë që SPAK i kërkoi gjykatës që Hoxhallari të shpallet fajtor për urdhërimin e vrasjes së Devi Kasmit, ngjarje që ndodhi më 29 Janar 2018 në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë.

Ekzekutimi dyshohet se u porosit pas prishjes së pazareve të drogës në Francë dhe Spanjë mes dy palëve. Hoxhallari nuk i ka pranuar kurrë akuzat. Për të njëjtën çështje është dënuar po me burgim të përjetshëm edhe ish-komandoja i ushtrisë greke Efthymiou Efthymious.

Sipas dosjes hetimore kamerat e sigurisë kanë fiksuar në orën 19:26 minuta, të 29 Janarit 2018, natën kur ndodhi krimi pranë banesës së Kasmit, në zonën e Spitalit Pediatrik, një furgon i bardhë dhe i mbyllur nga pjesa mbrapa, i cili qëndron në pritje për disa sekonda, dhe më pas merr personin që dyshohet të jetë Efthymious, por duke qenë i maskuar, është i pamundur identifikimi i tij.

Devi Kasmi u qëllua për vdekje me 4 plumba sapo mbërriti poshtë banesës.