Aktualitet Vrasja e dy të rinjve, Policia shpall në kërkim Danjel Pepajn

Vrasja e dy të rinjve, Policia shpall në kërkim Danjel Pepajn

Policia e Shkodrës ka dhënë informacion zyrtar për ngjarjen e rëndë në Malësinë e Madhe, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy të rinjtë Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj.

Kështu, zyrtarisht autor i dyshuar i vrasjes së dyfishtë sipas policisë është Danjel Pepaj, i cili është shpallur në kërkim.

“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes, si rezultat i provave e informacioneve të grumbulluara dhe veprimeve të shpejta profesionale është bërë shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të vrasjes së dy të rinjve, konkretisht e shtetasit Danjel Pepaj, 25 vjeç, banues në fshatin Vrith, Malësi e Madhe, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.”

Autoritetet dyshojnë se 25-vjeçari mund të jetë larguar nga Shqipëria. Për këtë arsye, policia thotë se po bashkëpunojnë edhe me homologët e vendeve fqinje, për të bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes, kapjen dhe arrestimin e tij.

Policia njoftoi gjithashtu arrestimin e babait të Danjel Pepaj, Rrok Pepajn, i cili akuzohet për kultivim të bimëve narkotike.

“Në lidhje me këtë ngjarje u arrestua në flagrancë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, shtetasi Rrok Pepaj, lindur dhe banues në fshatin Vrith, Malësi e Madhe, pasi dyshohet se në bashkëpunim me djalin e tij Danjel Pepaj, 25 vjeç, në fshatin Vrith, Malësi e Madhe janë personat që kanë kultivuar 29 bimët narkotike të gjetura në vendin e ngjarjes.”

Trupat e pajetë të Vilson Çutaj, 37 vjeç dhe Klement Pepaj, 21 vjeç, u gjetën të enjten në malet e fshatit Vrith, në vendin e quajtur “Rrenza e Grecajve”.

Nga të dhënat e deritanishme, ngjarje e rëndë dyshohet se erdhi pas një konflikti mes tre kushërinjve për vjedhjen e 50 kg kanabis, për të cilin dy viktimat akuzonin kushëririn e tyre Danjel Pepaj. Kur ky i fundit ra dakord për t’i çuar në vendin ku mendohej se kishte fshehur drogën e vjedhur, aty i ekzekutoi dy kushërinjtë e tij me armë.