Aktualitet Vrasja e katër policëve dhe lirimi i Dritan Dajtit, replika mes  Bashës...

Vrasja e katër policëve dhe lirimi i Dritan Dajtit, replika mes  Bashës dhe Ballës

Kreu i PD, Lulzim Basha ka kujtuar sot 11-vjetorin e rënies në krye të detyrës së 4 policëve, që u vranë nga Dritan Dajti.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha akuzon duke thënë se janë bërë të gjitha skemat për të blerë lirimin e autorit të kësaj ngjarjes.

“Nderim për dëshmorët e luftës kundër krimit, oficerët e antimafias Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari.

11 vjet më parë, ata u vranë në krye të detyrës, por drejtësia akoma nuk është bërë.

Dëshmorët e Atdheut po rivriten nga qeveria ortake e krimit të organizuar dhe nga drejtësia e kapur. Gjatë këtyre 7 viteve në koordinim me narkoqeverinë janë kryer të gjitha makinacionet dhe skemat për të blerë lirimin e Dritan Dajtit, vrasësit të 4 policëve.

Një shoqëri ku krimi dhe qeveria bashkëjetojnë e ndajnë favore nuk mund të ketë kurrë paqe dhe zhvillim.

Ndarja e politikës nga krimi, dhe goditja pa mëshirë e krimit të organizuar është detyrimi ynë më i madh. Drejtësia do të bëhet! Gjaku dhe sakrifica sublime e dëshmorëve të luftës me krimin nuk do të shkojë dëm”, shkruan Basha në Tëitter.

Pas akuzave të Bashës ka ardhur edhe reagimi i sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Sipas Ballës “komandanti” që tradhëtoi dëshmorët më pas u gradua dhe promovua nga Lulëzim Basha Ministër i Brendshëm vetëm një muaj më pas.

“Nderim dhe respekt dëshmorëve🇦🇱 Ne nuk harrojmë se dora kriminale e lidhur me LBPD në zgjedhjet e 2009, u mbështet nga “komandanti” policisë që tradhëtoi dëshmorët. Ky u gradua&promovua nga Lulezim Basha Ministër i Brendshëm vetëm një muaj më pas. Drejtësia vonon, por s’harron👊”, shkruan Balla.