Është arrestuar një person në lidhje me vrasjen e Lulzim Vishës. Bëhet fjalë për 37 vjeçarin Eduart Lami, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në krim. Ky i fundit është vënë në pranga më parë për armëmbajtje pa leje dhe është kushëriri i Ervis Lamit, personit që inicioi planin e arratisjes së bujshme nga burgu i Drenovës.
Sipas policisë, janë kryer kontrolle në banesën e Ervis Lamit, ndërsa ai është shpallur në kërkim. Në banesë janë gjetur një armë zjarri automatike me silenciator, municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sëpatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja arme.
Grupi hetimor ka dyshime se Lulzim Visha ka pasur më herët konflikte me ta duke e konsideruar si një pistë të mundshme në lidhje me hetimet. Sipas të dhënave të policisë konflikti ka qenë për tokat.
Përpara disa kohësh, burimet bëjnë me dije se mes viktimës dhe disa prej anëtarëve të familjes Lami ka pasur një sherr me njëri-tjetrin, i cili dyshohet të ketë qenë për pronat. Aktualisht, kjo është pista kryesore e hetimeve të policisë.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë u raportua mëngjesin e djeshëm ku viktima u gjet pa shenja jete brenda automjetit të tij në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner të Tiranës. Visha punonte postier dhe në momentin e ngjarjes ishte nisur për në punë me automjetin e një poste private, ku u qëllua me breshëri plumbash. Sipas informacioneve paraprake, janë gjetur 12 gëzhoja pistolete brenda mjetit me të cilin po lëvizte viktima.