Aktualitet Vrasja e taksistit, arrestohen dy vëllezërit

Vrasja e taksistit, arrestohen dy vëllezërit

Dy vëllezër kanë rënë në pranga si autorë të dyshuar të vrasjes së 71-vjeçarit Abdulla Budlla. Policia thotë se u arrestuan 32-vjeçari Sajmir Shera, i dënuar më parë dhe Arsil Shera, 20 vjeç. Arrestimi i tyre u krye gjatë operacionit të koduar “Brothers”. Gjatë këtij aksioni u gjet dhe u sekuestrua edhe mjeti që kanë përdorur dy vëllezërit për të kryer krimin.

Po ashtu gjatë kontrolleve të befasishme të kryera në disa banesa të dyshuara u arrestua në flagrancë 29-vjeçari Greasian Çela për prodhim e shitje lëndësh narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Ky person nuk ka lidhje me vrasjen e 71-vjeçarit.

Atij iu gjetën në ambientet e një biznesi një armë zjarri pistoletë, një shotgun, 60 gr. lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një sasi të konsiderueshme në lekë, euro, paund, dollarë e franga zvicerane, një aparat celular dhe një automjet tip “Mercedes Benz”.

71-vjeçari Abdulla Budlla u vra më 3 Gusht në Fushë-Prezë në kryqëzimin me rrugën e Rinasit. Ai po qëndronte në vendin e zakonshëm pranë taksisë, kur një automjet në lëvizje qëlloi në drejtim të tij me breshëri kallashnikovi.

Autoritetet dyshojnë se i moshuari është vrarë për motive të dobëta. Budlla ishte baba i 4 fëmijëve, 3 djem dhe 1 vajzë. Banorët e zonës kanë treguar se 71-vjeçari nuk njihej si person problematik dhe e përshkruajnë si njeri punëtor e të qetë. Ai mësohet se e ushtronte profesionin e taksistit në të zezë dhe lëvizte kryesisht në fshatrat përreth.