Aktualitet Vrasja në Durrës, tensione midis dy familjeve

Vrasja në Durrës, tensione midis dy familjeve

Babai i viktimës, Haxhi Shkoza

Zbardhja e ngjarjes në Spitallë të Durrësit, 8 ditë më pas nga policia, ka përshkallëzuar tensionet mes dy familjeve fqinje, Shkoza dhe Habibi.

Policia ndërhyri për të qetësuar situatën pas arrestimit të autorit të dyshuar dhe zbulimit të trupit të pajetë të 33-vjeçarit Branko Shkoza, i cili u gjet në një kanal pranë shtëpisë së tij më 2 Dhjetor.

Hetimet treguan se ai ishte shtyrë në kanal nga fqinji i tij gjatë një konflikti për motive banale.

Ngjarja ka shkaktuar reagimin e babait të viktimës, Haxhi Shkoza, i cili ka shprehur dhimbjen dhe indinjatën e tij lidhur me këtë tragjedi.

“Kurrë çuni im me kalu vetëm këtu. Çuni im u shtrinte në divan. Herë-herë ma sillnin gratë e lagjes, gocat, se e kam pasur çunin shumë të urtë. Unë hyra në kërkim se çuni im vjen në shtëpi pasi i del rakia. Ai nuk e zgjaste më shumë se dy orë. Ai gjithmonë më thoshte ‘babe jam këtu’, prandaj edhe u shtyta që e kërkova, sepse të pirët nuk kërkohen, por venë e vijnë vetë. Më pas morëm të dhëna që kanë bërë llafe me autorin. Më pas kemi dëgjuar shumë, që ‘më ka ngacmuar gruan’ te shtëpia e këtij gjasme. Ky ka qenë agresiv, rrihte fëmijët e vetë. Ka gjëmu gruan me spatë, vëllain e vet, shumë çuna në lagje. Kjo më shtyu dhe thashë një agresiv mund të bëjë çdo gjë”, tha Haxhi Shkoza, i ati i viktimës.

I arrestuari, Majlind Habibi, ka deklaruar para policisë se nuk kishte qëllim ta vriste, reagoi gjatë një debati të ashpër që, sipas tij, filloi pasi viktima kishte ngacmuar bashkëshorten e tij.

Habibi ka shtuar se sjellja tallëse dhe përçmuese e Shkozës e shtyu të vepronte në mënyrë impulsive, duke mos menduar për pasojat fatale.