Politika Vrasja në Elbasan, Balla: PD ka sjellë furgonë me paramilitarë të armatosur....

Vrasja në Elbasan, Balla: PD ka sjellë furgonë me paramilitarë të armatosur. Reagimi i Bardhit, i turpshëm

Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi këtë të mërkurë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Balla tha se në Elbasan kanë zbarkuar furgona të PD-së me paramilitarë të armatosur që kanë terrorizuar banorët. Po ashtu ai u shpreh se reagimi i Gazment Bardhit pas vrasjes së Xhuvanit ishte i turpshëm pasi përdhosi personin që humbi jetën pak metra larg trupit të viktimës. Drejtuesi politik i selisë rozë për Elbasanin u bëri thirrje qytetarëve për qetësi dhe të mos bien pre e provokimeve

“Besoj që jeni të gjithë dëshmitarë që sot në mëngjes kanë zbarkuar furgona me paramilitarë të PD-së që kanë terrorizuar banorë të zonave të ndryshme, siç ka ndodhur sot dhe dëshmitarë janë banorët e lagjes “5 Maj”. Autorësinë e këtij akti të rëndë duhet t’ia lemë organeve ligjzbatuese për të çuar para drejtësisë vrasësin dhe porositësit e vrasjes. Furgoni i lobuar nga PD-ja ka mbajtur brenda persona të armatosur.

Ajo që më vjen keq është reagimi i turpshëm i listës së PD-së në Elbasan që përdhosi personin që humbi jetën vetëm pak metra larg viktimës. Thirrja ime për të gjithë qytetarët e Elbasanit. Është ju lutem, ju jeni njerëz që dini të vlerësoni rëndësinë e këtij momenti dhe nuk duhet të bini nën provokime. Leksioni që duhet t’i japim këtyre paramilitarëve është t’i dënojmë me votën më 25 Prill. Thirrja ime është që të bashkohemi më shumë se kurrë për të dënuar me votë këta paramilitarë”, tha Balla.