Politika Vrasja në Elbasan, Balla: PD mori në mbrojtje një vrasës, qëlluan edhe...

Vrasja në Elbasan, Balla: PD mori në mbrojtje një vrasës, qëlluan edhe ndaj policisë

Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit për Partinë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar nga emisioni “Opinion” këtë të mërkurë se asnjë përfaqësues i selisë rozë nuk është përfshirë në akte kriminale të shitblerjes së votës siç propozohet nga kampi kundërshtar i opozitës në lidhje me ngjarjen e ditës së sotme në këtë qytet ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën katër të tjerë.

Duke komentuar deklaratën e Gazment Bardhit, Balla tha se ky është akti më i rëndë i një partie politike pasi mori në mbrojtje një vrasës. Ai bëri thirrje që të zbardhet vrasja e Pjerin Xhuvanit, ndërkohë që u shpreh se personi që ka qëlluar ndaj Xhuvanit, ka qëlluar edhe ndaj policisë.

“Ajo që sapo dëgjuan veshët e shqiptarëve është akti më i rëndë që një parti politike merr në mbrojte një vrasje. Drejtësia të zbardhë këtë ngjarje. Është e rëndë ku ka humbur jetën një qytetar autokton i Elbasanit. I shpreh ngushëllimet familjes. Sot është qëlluar kundër policisë dhe personi që ka qëlluar kundër policisë u mor në mbrojtje nga PD në mënyrë zyrtare. Unë kam qenë sot në spitalin e Elbasanit në vizitë tek punonjësja e policisë e plagosur. Jam e bindur që ajo është plagosur nga i njëjti vrasës sikurse ka bërë vrasjen ndaj Pjerin Xhuvanit. Është akt i rëndë i inskenuar nga PD. Furgonët e PD me paramilitarë kanë bërë akte dhune në Elbasan. Kanë ndaluar makina, kanë bërë kontrolle me dhunë”, tha Balla.

Balla theksoi më tej se furgonët e PD-së, që sipas tij janë mbushur me paramilitarë të armatosur, kanë ushtruar presion ndaj qytetarëve të Elbasanit.