Kryesore Vrasja në Elbasan, reagon ambasada e SHBA: Meta, Rama dhe Basha të...

Vrasja në Elbasan, reagon ambasada e SHBA: Meta, Rama dhe Basha të vetëpërmbahen

Ambasada amerikane në Tiranë reagoi pas vrasjes në Elbasan të Pjerin Xhuvanit dhe plagosjes së 4 personave të tjerë, duke theksuar se çështja duhet hetuar sa më shpejt dhe përgjegjësit të dënohen.

“Kemi ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen. Ambasadorja Kim i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme”, lexohet në deklaratën e ambasadës amerikane.

“Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, shton Ambasada Amerikane.

Nga përplasja me armë zjarri mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ish-kryetar i LSI-së në Elbasan, ish-zyrtar dhe së fundmi simpatizant aktiv i Partisë Socialiste në degën e Elbasanit. Policia ka arrestuar një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së rëndë. Ai është Arbër Papleka, i cili është edhe truproja i Gazment Bardhit, koordinatorit të Partisë Demokratike në Elbasan.