Aktualitet Vrasje, trafik droge dhe prostitucion, 7 të dënuar duhet të justifikojnë pasuritë

Vrasje, trafik droge dhe prostitucion, 7 të dënuar duhet të justifikojnë pasuritë

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

Faslli Buzi, banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;

Nazmi Aliu (alias Buzi), banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;

Dëfrim Kurtdeda (alias Dëfrim Sina), banues në Lushnje, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, i kryer në bashkëpunim, i mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i kryer në bashkëpunim;

Maliq Hyka, banues në Fier, i dënuar në Itali për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”;

Shaban Lami, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”;

Arjan Dalipi, banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;

Marsel Selamaj, banues në Berat,  i dënuar në Itali për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.