Aktualitet Vrasjet nga banda e Lushnjës 5 vitet e fundit, Hoxha: Do të...

Vrasjet nga banda e Lushnjës 5 vitet e fundit, Hoxha: Do të vijojnë për sa kohë nuk kapet “truri” pas tyre

38-vjeçari Alban Semaku u gjet të dielën i pajetë buzë lumit Shkumbin në Peqin. Gazetari Artan Hoxha në një bisedë me Juli Xhokaxhi në “Abc Live” u shpreh se kjo është thjesht vrasja e radhës në zinxhirin e “veprimtarisë” së Bandës së Lushnjës.

Hoxha tregon se Semaku nuk kishte shumë muaj që kishte dalë nga burgu. Më konkretisht më 6 maj pasi u arrestua në mars të vitit 2015 dhe u dënua në nëntor të atij viti.

“Ngjan me dy vrasje të tjera në Lushnje që u bëhen njerëzve të sapodalë nga burgu. Është viktimë e krimit të organizuar dhe ngjarja me shumë mundësi nuk do të zbulohet. Ngjarjet në këto 5 vite lidhen me njëra-tjetrën, kanë një zinxhir.”

Artan Hoxha vlerëson se prej vitesh janë problematike ngjarjet zinxhir në Lushnje pasi agjencitë në vend nuk po arrijnë që ta ndërpresin zinxhirin. Sipas tij, nëse autoritetet tona nuk do të synojnë për “trurin”, atëherë trupa të tjerë do të vijojnë të gjenden.

“Aty problematika nuk janë autorët por janë investitorët. Nuk kapen dot autorët sepse kanë informacione, mbështetje logjistike. Të rrish në kërkim ka kosto. Ata kanë mjete që i ndërrojnë vazhdimisht. Kush i mban? Dikush i fuqishëm financiarisht.”

Duke u bazuar në rrjedhën e ngjarjeve në këto pesë vite, Hoxha u shpreh se zinxhiri i vrasjeve do të vijojë, dhe se nga vrasja e Semakut janë më të trembur ata që janë gjallë.

“Për atë u la kufoma aty. Është mesazh për grupin shoqëror që ka viktima, largohuni pa u gjetur ne. Këto janë më tepër ngjarje që terrorizojnë.”

Mesazhi që përcollën ekzekutorët

Hoxha theksoi se ekzekutimi i 38-vjeçarit, i cili ka qenë pjesë e bandës së Lushnjes përcjell mesazh për ata që janë gjallë.

Sipas gazetarit, autorët mund edhe ta kishin hedhur në lumë kufomën, por zgjodhën ta lënë në një atë vend, pikërisht për të përçuar mesazhin, pasi Semaku ka qenë pjesë e një zinxhiri vrasjes që kanë ndodhur në Lushnje.

“Rezulton se thjesht kufoma është hedhur në Peqin. Duket si një vend që autorët kanë vendosur ta hedhin kufomë. Ata kanë pasur mundësi edhe ta hedhin në rrugë. Është lënë aty edhe për shkak të mesazhit që duan të përçojnë. Duke sjellë deri aty kanë pasur mundësi ta zhduknin fare. Autorët derisa e kanë sjellë deri aty mund ta kishin eliminuar fare dhe do të kishim të bënim me një person të zhdukur. Në Shqipëri ka shumë të zhdukur. Rasti më i fundit është ngjarja e Jan Prengës.

Unë dyshoj shumë se ata e kanë lënë kufomën aty për të çuar një mesazh te të tjerët. Kufoma është goditur me dy predha. Duket se është një ekzekutim me mesazh brenda. Kjo nuk është vrasja e parë e tillë që ndodh në Lushnje.

Viktima është banor i Lushnjes, aktivitetin e tij e ka pasur në Lushnje. Nga Lushnja në Peqin ikën për punë minutash. Nuk ka pasur vështirësi. Ata mund ta kenë ekzekutuar pak më tej apo edhe në Lushnje. Nëpërmjet këtij të vrari është çuar një mesazh atyre që janë gjallë.

Zakonisht autoritetet tona për të justifikuar krimet që ndodhin nxijnë shumë të kaluarën e tyre. Ky i fundit ka të kaluar kriminale. Manuali që ka Kodi Penal për të ngjitur hapat e të qenit eksponent i krimit ky duket se i ka ndjekur hap pas hapi. Gjeja që intereson sot është a është ky pjesë e një zinxhiri vrasjes që kanë ndodhur në Lushnje? Po është. ky zinxhir nuk po ndërpritet,” u shpreh ai.