Aktualitet Vrau vëlla e motër/ Policia: 5 mln lekë kush jep informacion për...

Vrau vëlla e motër/ Policia: 5 mln lekë kush jep informacion për kapjen e Kolecajt

Policia e Lezhës ka publikuar foton e autorit të vrasjes së dyfishtë mbrëmë në Rrëshen dhe ka vendosur 5 mln lekë (të vjetra) shpërblim për atë që jep informacion të saktë për vendndodhjen e 47-vjeçarit Fatmir Kolecaj, për ta prangosur.

Blutë e Lezhës njoftojnë se vijon krehja e zonës për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të vrasjes së dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Kodër Rrëshen.

Forcat RENEA, FNSH dhe strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë vijuar kontrollin e territorit dhe të vendeve të dyshuara ku mund të fshihej autori i ngjarjes, por deri mëngjesin e sotëm nuk është gjetur.

Për këtë arsye Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë thekson se ka vendosur në dispozicion 5 milionë lekë për këdo që jep informacion të saktë mbi vendndodhjen e autorit.

“Cilido që disponon informacion të vlefshëm për autorin e dyshuar, shtetasin Fatmir Kolecaj 47 vjeç, banues në fshatin Zejmen, Lezhë, të telefonojnë në numrin 069 41 06 449 dhe në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke i siguruar anonimat të plotë dhe të sigurt”, njofton policia.