Aktualitet Vrau vëllanë dhe kunatën, burg për Arsen Muskurtin. Avokati: U vetëdorëzua, nuk...

Vrau vëllanë dhe kunatën, burg për Arsen Muskurtin. Avokati: U vetëdorëzua, nuk u arrestua

Arsen Muskurti 38 vjeç është lënë në arrest në burg nga Gjykata e Tiranës pasi akuzohet për vrasjen e vëllait dhe kunatës së tij, Alban dhe Nora Muskurti, përkatësisht 44 dhe 33 vjeç.

Avokati i të pandehurit tha për gazetarët se Arsen Muskurti nuk ka tentuar të largohet, por u vetëdorëzua në polici dhe nuk u arrestua nga policia sikurse u deklarua.

Avokati kërkoi arrest në burg 30 ditë për Arsen Muskurtin, sipas të cilit, klienti i tij vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe për këtë merr mjekim. Sa i përket armës, avokati tha se e ka me leje. Ndërsa problemet me vëllain kanë nisur që prej vitit 2018, kohë kur ka nisur dhe mjekimin.

“Arsen Muskurti është dorëzuar vetë konkretisht. Kam parë shumë trillime nga mediat që ka dashur të ikte në Dibër me bashkëshorten, por është dorëzuar vetë. Më ka kërkuar mua personalisht që ta dorëzoj Arsenin. Kemi shkuar në ambientet e policisë, kemi bërë të gjitha procedurat pasi kishte kryer krimin. Ndërsa sot deklaroi që duhet të mbrohet vetëm me avokat. Unë kërkova masë sigurie 30 ditë pasi gjendja mendore, psikologjike e tij është e jashtëzakonshme, merr mjekim. Ai ka kryer 7 kallëzime penale ndaj të ndjerit dhe të ndjerës. Kishte që nga 2018 që kishte probleme me vëllain, aty ka filluar edhe mjekimin. Nuk është arratisur, por ka dashur të dorëzohet. Arma është me leje”, u shpreh avokati mbrojtës i Arsen Muskurtit.

Ai deklaroi gjithashtu se gjatë periudhave të ndryshme kohore, në komisariat ka patur kallëzime të bëra si nga Arsen Muskurti ashtu dhe nga vëllai i ndjerë i tij Alban Muskurti, të dy ndaj njëri-tjetrit.

Krimi i rëndë që trondit kryeqytetin dy ditë më parë mendohet se ka ndodhur për shkak të konflikteve për pronat mes dy vëllezërve Muskurti.