Gjovalin Prendi, 64 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e të enjtes në Pllanë të Lezhës.
Viktima është babai i Sidorel Prendit, i njohur edhe si Roan Brahimi, i cili u vra vitin e kaluar në një atentat në Athinë.
“Në fshatin Pllanë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Gjovalin Prendi 64 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë. Forca të shumta të Policisë kanë shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër”, njoftoi policia.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal.
Djali i Gjovalin Prendit, Roan Brahimi, u qëllua në sy të gruas dhe fëmijës së mitur më 9 Maj në Athinë.
Emri i Roan Brahimit ishte i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai njihej si rivali i Ervis Martinajt dhe akuzohej si i përfshirë në atentatin ndaj Ylli Brahimit, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi.
Roan Brahimi ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinajt dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 Korrik 2022.
Ndër të tjera ai dyshohej se kishte lidhje edhe me vrasjen e Gentjan Bejtjes, i ekzekutuar disa muaj para Brahimit në vitin 2024.
Deri më tani mbetet e paqartë nëse ekzekutimi i Gjovalin Prendit ka lidhje me të shkuarën e errët të djalit të tij.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarje.