Bota Vritet nga një sulm i paramenduar familja myslimane në Kanada

Vritet nga një sulm i paramenduar familja myslimane në Kanada

Një ngjarje tragjike ka tronditur Ontarion teksa një 20-vjeçar sulmoi me automjetin e tij një familje myslimane, duke vrarë 4 anëtarë të saj.

Sulmi ndodhi të dielën në mbrëmje, ndërsa familja po priste të kalonte një rrugë, raportojnë mediat vendase. Policia tha se viktimat ishin dy gra të moshës 77 dhe 44 vjeç, një burrë 46 vjeç dhe një vajzë 15 vjeç. Një djalë nëntë vjeç, i mbijetuari i vetëm i familjes, është në spital me dëmtime serioze. Autoritetet lokale nuk publikuan emrat e viktimave.

20-vjeçari i identifikuar me emrin Nathaniel Veltman është akuzuar për vrasje në tentativë. Ky është sulmi më i keq kundër myslimanëve që kur gjashtë persona u vranë në një xhami të Quebec City në 2017.

Sipas mediave vendase, autori i krimit makabër nuk i njihte viktimat, por i ka sulmuar vetëm për faktin se ishin myslimanë. Familja ishte me origjinë nga Pakistani dhe kishte emigruar në Ontario 14 vite më parë. Policia ka bërë të ditur se ka prova që prej kohësh autori e kishte planifikuar një akt të tillë i motivuar nga urrejtja.

I dyshuari nuk ka precedentë kriminalë dhe nuk dihet të jetë anëtar i një grupi urrejtjeje. Ai u arrestua në një parking në një qendër tregtare, ndërsa kishte veshur një jelek të forcave të blinduara. Nuk ka prova se ai kishte ndonjë bashkëpunëtor.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha në “Twitter” se ishte tmerruar nga lajmi, duke shtuar se “islamofobia nuk ka vend në asnjë nga komunitetet tona dhe se kjo urrejtje është tinzare dhe e neveritshme dhe duhet të ndalet”. Në Pakistan, Kryeministri Imran Khan dënoi sulmin, duke thënë se ai tregon Islamofobinë në rritje në vendet perëndimore.