Bota Vuçiç flet për një vit të vështirë: Për të parandaluar Shqipërinë e...

Vuçiç flet për një vit të vështirë: Për të parandaluar Shqipërinë e Madhe, do të na bëjnë presion të njohim Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se forcat që angazhohen për Shqipërinë e Madhe pa dyshim do të fitojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Sipas tij ato do të përdoren nga të huajt për të bërë presion ndaj Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Vuçiç tha se Serbinë e pret një pranverë jashtëzakonisht e vështirë, një verë dhe vjeshtë e vështirë në çdo aspekt.

“Forcat që insistojnë në bashkimin me Shqipërinë me siguri do të fitojnë këto zgjedhje. Kështu ka thënë Ramush Haradinaj, ai është një njeri i rrezikshëm që pret se Albin Kurti do të ketë nevojë për një parti shqiptare për koalicionin dhe po bën presion që të jetë aty dhe më vonë të zgjidhet president i Kosovës. Atëherë ata do ta kishin atë koalicion për Shqipërinë e Madhe”, tha Vuçiç për televizionin “Prva”, raportojnë mediat kosovare.

Ai shtoi se pas kësaj, të huajt do t’i paraqisnin Serbisë idenë për të parandaluar formimin e një “Shqipërie të Madhe” duke njohur pavarësinë e Kosovës si një zgjidhje kompromisi.

“Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të përpiqemi ta ruajmë forcën e Listës Serbe, por gjithashtu të përgatitemi për presione të rënda”, tha Vuçiç.