Bota Vuçiç nis vizitën dyditore në Kroaci. Blindohet Zagrebi, viktimat e luftës e...

Vuçiç nis vizitën dyditore në Kroaci. Blindohet Zagrebi, viktimat e luftës e presin me protesta

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka nisur një vizitë zyrtare dyditore në Kroaci, e cila konsiderohet shumë e rëndësishme për pajtimin dhe paqen në rajon.

Në rrugët e Zagrebit janë vendosur së bashku flamujt serbë dhe kroatë, çka konsiderohet një ngjarje jo e zakonshme në Kroaci.

Masa shumë të larta sigurie janë marrë nga autoritetet kroate, ku në të gjitha lartësitë e Zagrebit janë vendosur snajperë të forcave speciale, ndërkohë që kryeqyteti është thuajse totalisht i bllokuar.

Përveç takimit me homologen kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç, Vuçiç do të takohet edhe me kryeministrin Andrej Plenkoviç, si dhe me kreun e Parlamentit, Gordan Jandrokoviç.

Presidenti serb do të zhvillojë edhe një takim me komunitetin serb në Kroaci, takim që do të mbahet në selinë e Kishës Ortodokse Serbe të Zagrebit.

Në këtë takim do të marrë pjesë edhe presidentja kroate. Ky samit do të jetë një akademi kumtesash me temë “e ardhmja e komunitetit serb në Kroaci”.

Nesër, Vuçiç do të udhëtojë në qytetin Vrginmost, ku do të takohet me pakicën serbe.

Ndërkaq, veteranët e luftës serbo-kroate dhe vejushat e ushtarëve të vrarë në luftë po zhvillojnë një protestë kundër Vuçiç, duke i kujtuar të kaluarën e tij radikale.

Paramilitarët e Sheshelit kanë kryer në Kroaci krime të mëdha përpara se të vazhdonin kasaphanën në Bosnjë dhe Kosovë.