Bota Vuçiç: Nuk është e thjeshtë që Çekia të tërheqë njohjen e Kosovës

Vuçiç: Nuk është e thjeshtë që Çekia të tërheqë njohjen e Kosovës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se nuk mendon se është reale që Republika e Çekisë të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Duke komentuar deklaratat e presidentit të Çekisë, Milosh Zeman, Vuçiç tha se çekët janë “miq të sinqertë” të Serbisë, por shtetet, veçanërisht ato që janë “në të njëjtin bllok” nuk i ndryshojnë shpesh vendimet.

“Ne do të dëshironim atë (tërheqjen e njohjes), por nuk mendoj se është realiste dhe e thjeshtë”, tha presidenti i Serbisë para gazetarëve në Vatikan pas takimit me Papa Françeskun.

Të mërkurën, presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, gjatë vizitës në Beograd, tha se dëshiron të diskutojë me zyrtarët kushtetues çekë mundësinë që vendi i tij ta tërheqë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha gjithashtu se Vatikani po ndjek një politikë serioze, dhe se do të ruajë qëndrimin për të mos njohur pavarësinë e Kosovës.

“Por Vatikani dëshiron bisedime dhe një zgjidhje paqësore midis serbëve dhe shqiptarëve,” u tha Vuçiç gazetarëve./REL