Kosova Vuçiç: Nuk ia dalim dot një lufte tjetër, jemi të detyruar të...

Vuçiç: Nuk ia dalim dot një lufte tjetër, jemi të detyruar të negociojmë me Kosovën

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, thotë se Serbia nuk do t’i mbijetonte një lufte tjetër, prandaj e vetmja rrugë që i mbetet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është të ulet në bisedime.

I pyetur rreth deklaratës së të dërguarit special të presidentit amerikan, Richard Grenell, sipas të cilit është i rremë lajmi për një plan amerikan për të zgjidhur çështjen e Kosovës, Vuçiç tha se ai gjithmonë është shprehur se “ne duhet të bisedojmë fillimisht”.

“Kurdoherë që fuqitë e mëdha perëndimore të ndërhyjnë, të gjithë do të kërkojnë gjysmën e Serbisë. Është detyra jonë t’i bëjmë rezistencë kësaj”, tha ai pasi vizitoi punimet për ndërtimin e një spitali të ri në Serbi.

Vuçiç iu drejtua me një pyetje gazetarëve: “A mund ta imagjinoni situatën tonë nëse vendosim të mos zhvillojmë bisedime, si do të mbijetonte populli i Kosovës atëherë, do të kishte alternativë? Vetëm lufta është alternativë dhe ne nuk do ta bëjmë atë”, tha ai, duke shtuar se Serbia nuk ka nevojë për konflikte.

“Ne kemi nevojë për paqe, sepse kjo është mënyra e vetme që të zhvillim në të gjithë Serbinë. Ne nuk do t’i mbijetonim një lufte tjetër. Pas luftërave ballkanike, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, luftërat e viteve 1990 … ne nuk do t’u mbijetonim. Na duhet të bëjmë politikë të zgjuar”, përfundoi Vuçiç.