Kryesore Vuçiç: Pakti me shqiptarët anëtarëson Serbinë në BE

Vuçiç: Pakti me shqiptarët anëtarëson Serbinë në BE

Shpërndaje

Aleksandër Vuçiç mohon të ketë diskutuar në rrugë zyrtare, propozimin për korrigjimin e kufijve me homologun kosovar Hashim Thaçi.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Ruters”, ai thotë se duhet bërë çmos për të arritur një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit

“Zyrtarisht ende nuk kemi asgjë mbi tryezën e diskutimeve. Duhet të bëjmë çmos për të arritur një marrëveshje. Jam absolutisht pro saj.  Askush nuk duhet të jetë i frikësuar nga arritja e një pakti mes të Kosovës dhe Serbisë, rajoni do të jetë më stabil, më i fuqishëm dhe më atraktiv.”

Presidenti serb thotë megjithatë se rruga drejt arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë është e vështirë por e pakthyeshme. Sipas tij do të duhet një dekadë që të finalizohet një pakt i pranuar nga te dyja palët.

“Tani për tani ne nuk e dimë ku i kemi kufijtë. Ndonjëherë qesh kur dëgjoj njerëzit si i bëjnë gjërat të lehta dhe thonë se, unë do t’iu jap juve tri fshatra dhe unë do t’iu jap gjashtë të tjerë në këmbim.”

Por çfarë kërkon Beogradi në këmbim të paktit me Kosovën.

“Nëse arrijmë marrëveshje me Kosovën, Serbia duhet t’a ketë të sigurt se do të anëtarësohet në BE në 2025-ën. Do të jetë një pakt që nuk do të përfshijë vetëm marrëdhëniet me shqiptarët në Kosovë, por edhe rezolutën për rrugën drejt BE-së dhe zhvillimin e ardhshëm ekonomik.”

Raundi i fundit i bisedimeve mes të dy presidentëve në Bruksel dështoi pas refuzimit të palës serbe për t’u ulur në takim, për shkak të polemikave për vizitën e presidentit serb në liqenin e Gazivodës.