Bota Vuçiç: Vendimi i Putin ndryshon rendin botëror. Serbia vihet në pozitë të...

Vuçiç: Vendimi i Putin ndryshon rendin botëror. Serbia vihet në pozitë të vështirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka komentuar vendimin e homologut rus, Putin, për të njohur shpalljen e pavarësisë së të ashtuquajturave Republika Popullore në Donetsk dhe Luhansk.

“Vendimi i Presidentit rus ka ndryshuar tërësisht rendin botëror”, tha Vuçiç për televizionin serb “Pink”. “Gjithçka dinim deri dje nuk ekziston më sot. Situata është ndoshta më e vështirë për ne, prindërit tanë dhe fëmijët tanë, por nuk do të jetë më e vështirë në 20-30 vitet e ardhshme. Mendoj se ky vendim, “de facto” po ndryshon thelbësisht rendin botëror”.

Vuçiç tha se pas këtij vendimi i Rusisë do të vinte në pozitë të vështirë Serbinë, për shkak të presionit nga Perëndimi për t’i vendosur sanksione Rusisë.

“Pozicioni ynë nuk është i lehtë, gjithçka që ka ndodhur sot e vendos Serbinë në ballë të sfidave politike, të sigurisë dhe ekonomike”.

Vendet perëndimore kanë paralajmëruar sanksione të rënda kundër Rusisë pas këtij vendimi, ndërsa Kancelari Olaf Scholz deklaroi se ka ndërprerë procesin e certifikimit të gazsjellësit “Nord Stream 2”, që do të dërgojë gaz nga Rusia drejt Gjermanisë.