Kryesore Vuçiç “xheloz” për Thaçin: Hashim, Federica preferon më shumë të të puthë...

Vuçiç “xheloz” për Thaçin: Hashim, Federica preferon më shumë të të puthë ty (Video)

Mbrëmjen e së martës në Bruksel u takuan liderët e Ballkanit Perëndimor në një darkë jo zyrtare me ftesë të shefes së Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini.

Të pranishëm ishin Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç, Presidenti i Malit të Zi Gjukanoviç, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës.

Darka jo formale ishte një takim lamtumire nga Mogherini, e cila përfundon mandatin në Dhjetor të këtij viti.

Kjo darkë nuk kaloi pa batuta mes Presidentëve Vuçiç e Thaçi. Teksa kreu i shtetit të Kosovës u përqafua me Mogherinin për t’i dhënë lamtumirën, Presidenti Aleksandar Vuçiç komentoi në gjuhën serbe: “Hashim, Federica preferon më shumë të të puthë ty”.

Nga Presidenti i Kosovës nuk pati reagim, ndërsa Vuçiç vazhdoi përsëri: “Thaçi pretendon sikur nuk kupton serbisht, por e flet shumë mirë”.

Këto batuta të Aleksandar Vuçiç në darkën jo zyrtare janë zbardhur nga mediat serbe.

Në këtë takim mungoi kryeministri Edi Rama për shkak të angazhimeve, pasi ditën e djeshme ndodhej për vizitë në Greqi.