Bota Vuçiçit i refuzohet leja për të vizituar Kosovën

Vuçiçit i refuzohet leja për të vizituar Kosovën

Presidentit serb Aleksandër Vuçiç i refuzohet kërkesa për të vizituar sot Kosovën. Sikurse bëjnë me dije mediat në Kosovë, stafi i presidentit Vuçiç i ka dërguar institucioneve të Kosovës, një kërkesë zyrtare për të realizuar një vizitë atje.

Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konfirmuar kërkesën e zyrës së presidentit serb, por thotë se nuk do t’ia japë lejen për të vizituar Republikën e Kosovës. Bashkë me Vuçiç, pritej që në Kosovë të mbërrinte edhe ministri i brendshëm Aleksandër Vulin, ish-shefi i zyrës për Kosovën Marku Gjuric dhe shefi aktual i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

Kjo vizitë e papritur e presidentit serb në Kosovë vjen pas deklaratave, ku ai e krahasonte marrëdhënien mes shtetit të tij dhe atij kosovar të ngjashëm me situatën në Nagorni Karabak. Kjo deklaratë nxiti një varg reagimesh të cilësuara si ekstreme dhe luftënxitëse, duke bërë të deklaroheshin edhe disa institucione ndërkombëtare si NATO-ja dhe ndonjë zyre e Bashkimit Evropian.

Po kështu një kërkesë e tillë e kreut të Serbisë për vizitë në Kosovë vjen pas gjetjes së një varreze masive në Serbi, ku dyshohet se janë trupat e shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit në luftën e fundit.