Sport Wanda Nara garanton: Icardi qëndron në Milano. Sapo rinovuam…

Wanda Nara garanton: Icardi qëndron në Milano. Sapo rinovuam…

Dikur adhurohej nga tifozët, ndërsa ai provokonte shpesh me veprimet e tij jashtë fushave të blerta. Sot ka nga ata tifozë që nuk e duan më tek Interi, pjesërisht edhe për shkak të gruas së tij.

Por, pikërisht kjo e fundit, njëkohësisht agjentja që kujdeset për interesat financiare të Mauro Icardit, Wanda Nara ka dhënë një lajm gjithsesi të mirë për tifozët zikaltër.

“Qëndrojmë në Milano me 100 për qind. Sapo kemi regjistruar fëmijët në shkollë”, është shprehur ajo, në atë që duket të jetë takimi i radhës në “telenovelën” e gjatë “Icardi”, deklaratë e cila është bërë për emisionin “Striscia la notizia”.

Pikërisht emisioni i ngjashëm me “Fiks Fare” në Shqipëri, i ka dorëzuar asaj trofeun “Tapiro d’Oro” për një rrëzim të sajin gjatë provave për një kërcim tangoje në “Tiki Taka”.

“Ky është viti i çmimeve për mua. Do të më sjellë fat, jepini edhe Mauros një të tillë”, ka thënë ajo mes humorit dhe të qeshurave.

Për t’u rikthyer te çështja bazë, Wanda thotë se familja është e gjitha interiste dhe se do të qëndrojnë në Milano. Pavarësisht se gjëja më e sigurtë është që e ardhmja e Icardit do të jetë një nga temat më të nxehta të merkatos së kësaj vere në futboll, duke parë raportin e tij jo të mirë me tifozerinë dhe trajnerin.