Sport Wanda Nara rrëfen të vërtetën e saj: Nuk jam unë e keqja

Wanda Nara rrëfen të vërtetën e saj: Nuk jam unë e keqja

Wanda Nara është kthyer të flasë për kalimin e Mauro Icardit drejt PSG-së dhe thotë se kalimi i sulmuesit në Franë nuk është përfundimtar. “Nuk ka ndarje përfundimtare me Interin, është si një pauzë reflektimi, si dy të dashur. Parisi është i bukur dhe ka shumë yje në ekip. Ishte një mundësi që nuk duhej humbur, në fund të sezonit, gjithsesi duhet parë çfarë do bëjmë…”, – tha Nara.

“Mes opsioneve që kishim, PSG ishte më i keqi për mua sepse duhet të shkoj lart e poshtë, bashkë me djemtë, pasi ata duhet të jenë në shkollë në Itali. Kishte shumë skuadra të rëndësishme italiane që e donin, dhe për mua do kishin qenë më të përshtatshme, por në fund mendova për Mauron”.

Bashkëshortja dhe menaxherja e Icardit ka treguar se në janari pati shumë oferta që refuzoi. “Janarin e kaluar një klub i madh u afrua për Icardin. Ata ofruan shumë para dhe një futbollist tjetër, por Icardi i refuzoi. Nga ai moment klubi vendosi t’i hiqte shiritin si një strategji për ta shitur në verë, por pse të mos e bënte në fund të sezonit?”, – thotë Nara që tregon se dëshira e Juventusit ishte e madhe për ta rrëmbyer.

Nara ka theksuar se Icardi nuk e bëri padinë ndaj Interit për para, por se donte të stërvitej me Conten. “Kushdo që mendon se e bëri për para e ka gabim. Mauro donte të stërvitej me Conte, ai ishte kurioz të punonte nën urdhrat e tij. Juve? Në të kaluarën nuk shkoi sepse ishte dhe kapiten i Interit dhe kjo do të thotë shumë për njerëzit. Marrëdhëniet me Paraticin janë të shkëlqyera dhe ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, – tha ajo ndër të tjera.

Raportet e tensionuara me Brozovic dhe Perisic?

“E keni gabim! Gjithmonë raporte normale. Madje, njërin e kemi komshi… Deklaratat e mia për Tiki Taka? Interi i dinte, nuk ishte nevoja që të më jepnin leje të flisja. Nuk e di pse më shohin si një femër që prish punë, por unë bëj rolin e agjentes dhe frazat seksuale nuk dua t’i dëgjoj aspak! Të gjithë janë sjellë mirë dhe më kanë pritur, edhe te Parisi”, theksoi Wanda.