Bota Washington Post: Emigrantët janë heronjtë e injoruar të pandemisë

Washington Post: Emigrantët janë heronjtë e injoruar të pandemisë

Në një kohë kur shtetet kanë ndaluar udhëtimet dhe kanë forcuar kontrollet kufitare, duke ndërprerë lidhjet mes tyre, emigrantët bëhen edhe më të prekshëm nga pasojat që shkakton virusi, por falë punës së tyre, ata janë heronjtë e palodhur dhe që i kanë dalë në ballë pandemisë globale Covid-19.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, industria e ushqimit dhe restoranteve varet në mënyrë thelbësore nga puna e emigrantëve, thekson The Washington Post. Pothuajse 400 mijë punëtorë që punojnë në sektorin e bujqësisë në Kaliforni, gati 60-75 përqind e tyre janë emigrant pa dokumente, kryesisht të ardhur nga Meksika. Dhe puna në fusha është një element “thelbësor” për përballimin e nevojave emergjente jo vetëm për qytetarët, por edhe për industrinë e ushqimit gjatë epidemisë së koronavirusit.

Tharoor, tha se mungesa e emigrantëve në disa vende në industrinë e bujqësisë për shkak të përhapjes së koronavirusit atje, e ka përkeqësuar krizën edhe më shumë.

Ai tha se kolegët i kishin raportuar atij në fillim të kësaj jave disa probleme që po përballeshin shumë shtete europiane pas mbylljes së kufijve, pasi emigrantët nuk mund të punonin më në sektorët e bujqësisë dhe puna e tyre ishte një faktor kyç për zhvillimin e këtyre sektorëve.

Referenca ka të bëjë me mungesën e punës në bujqësi, e cila kryhej në pjesën më të madhe të saj nga emigrantët.

Italia ka propozuar se emigrantët që kanë punuar në të zezë të regjistrohen dhe të rregullohen.

Ky propozim erdhi nga ministrja për Politikat Bujqësore, Teresa Bellanova e cila kërkoi sistemimin e emigrantëve që punojnë në sektorët e bujqësisë në vend.

“Ne do i rregullojmë të gjithë emigrantët në vend dhe do u krijojmë mundësitë që të punojnë çdo ditë”, tha ministrja.

Sipas saj, edhe ata që kanë aplikuar për leje qëndrimi dhe që ende nuk kanë marrë një përgjigje, duhet të lejohen të shkojnë rregullisht në punë.

Ajo argumentoi se nuk do i lëmë bizneset të falimentojnë apo t’u kalben produktet e tyre, dhe nesër të mos ketë ushqim të mjaftueshëm për qytetarët.

Bellanova tha se kur ka ende njerëz që nuk mund të ushqehen, ne si qeveri s’mund ta lejojmë këtë.