Bota “Washington Post”: Zyrtarët amerikanë mashtruan për 18 vjet rresht për luftën në...

“Washington Post”: Zyrtarët amerikanë mashtruan për 18 vjet rresht për luftën në Afganistan

Washington Post ka publikuar së fundmi një artikull bombë në lidhje me luftën në Afganistan, e cila zgjat prej një kohe shumë të gjatë dhe ka kushtuar shumë në jetë njerëzish dhe para.

Sipas të dhënave të publikuara nga e përditshmja amerikane, zyrtarët amerikanë kanë gënjyer në mënyrë të vazhdueshme publikun në lidhje me luftën që zgjat prej 18 vitesh në Afganistan dhe kanë fshehur faktin se ajo ishte e pamundur të fitohej.

Në artikullin e gjatë të publikuar të hënën, Post informon se zyrtarët më të lartë ishin në dijeni që shanset ushtarake ishin shumë të vogla, por ata zgjodhën të fshihnin realitetin dhe të jepnin lajme të zbukuruara në lidhje me të.

Dokumentet e zbuluara përfshijnë dhe intervista që zyrtarë të qeverisë kanë zhvilluar me ushtarakë të lartë, të cilat gazeta i mori falë ligjit të Lirisë së Informimit. Ato janë zhvilluar nga vitet 2014-2018 dhe përfshijnë komentet e rreth 400 personave.

Mes dokumenteve, Post ka arritur të shtjerë në dorë dhe memo nga ish sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld në vitet 2001-2006, gjatë fazës së parë të luftës. Të gjitha këto të dhëna krijojnë tablonë e një ushtrie konfuze që nuk e dinte se kush ishin “djemtë e këqinj”, ku fshiheshin ata apo si ti luftonin.

Mes intervistave është dhe një transkript i vitit 2015 që i përket ish këshilltarit të SHBA për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn, i cili mes të tjerave ngre pyetjen “Nëse jemi duke bërë një punë të mirë, pse duket sikur po humbim?”

Personeli ushtarak gjithashtu përshkruan se si zyrtarë të lartë manipuluan të dhënat për t’u dukur sikur SHBA po e fitonte luftën, kur në fakt qindra ushtarë po vriteshin. Një nga dështimet e pretenduara për të cilën trupat ankoheshin më së shumti përfshinte dhe faktin se ata nuk e dinin pse ishin në Afganistan, për të luftuar terrorizmin apo për ta bërë këtë vend demokratik.

Inspektori i Përgjithshëm për Rindërtimin e Afganistanit, John Sopko i tha gazetës pas publikimit të këtyre fakteve se populli amerikan është gënjyer në mënyrë konstante.